Protestë masive për shkarkimin e kryeprokurorit Lumezi, protestat nuk do të ndalen

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 18:19 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qindra veta kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga organizata e shoqërisë civile me kërkesë shkarkimin e kryeprokurorit Aleksandër Lumezi dhe nisjen e procesit të “vettingun” në sistemin e drejtësisë, raporton Ekonomia Online.

Me thirrjet “Lumez ik“, “nuk ka shtet pa gjyqësor të pavarur” “pishpirik je vetë”, protestuesit kanë marshuar nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt Zyrës së Kryeprokurorit Lumezi, për t’u kthyer te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Krenare Loxha, njëra nga organizatoret e protestës, tha se liria në Kosovë ende nuk ka ardhur përderisa detyrohen të dalin ne rrugë.

“Kemi sakrifiku për liri. Detyrohemi me dalë në rrugë me kërku liri. Nuk mundemi me thanë që jemi të lirë kur politikanët tanë sa lirshëm vjedhin, sa lirshëm kërcënojnë prokurorë. Nuk mundemi me heshtë më. Unë nuk mundem me ra në nivel të kryeministrit”.

“Në luftë nuk kemi ikë maleve të refugjatëve por jemi shku për shkak se jemi përndjekë. A ka vend në fjalorin e kryeministrit për viktimat? Gjyqësori nuk duhet me i shërbye politikës, por ligjeve”, u shpreh Loxha.

Publicisti Imer Mushkolaj, njëri nga organizatorët e protestës, tha se sistemi i drejtësisë në Kosovës duhet të jetë i pavarur e pa ndikime politike.

“E duam Kosovën vend të lirë, pa mashtrues, e pa kriminel”, tha Mushkolaj.

Mushkolaj paralajmëroi se protestat nuk do të ndalen. “Për datën e protestës së radhës do të njoftohen”, iu drejtua ai protestuesve, në fund.

Në këtë protestë merrnin pjesë dhe deputetë e përfaqësues të partive politike, kryesisht të partive politike opozitare.

Protesta vjen disa ditë pasi prokurori i Prokurorisë Speciale, Elez Blakaj, dha dorëheqje dhe akuzoi kryeprokurorin Lumezi për ndërhyrje në hetimet në rastin e listave të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi pak para se të niste protesta kundër tij, kryeprokurori Lumezi tha se do të jepte dorëheqje nëse Këshilli Prokurorial vlerëson se e ka tejkaluar ligjin ose ka marrë ndonjë vendim kundër etikës; porse “nuk do të marrë parasysh kërkesat e pabazuara të shoqërisë civile”.

Ai ka bërë të ditur se është zgjedhur prokurori i cili do të vazhdojë punën në aktakuzën për fryrjen e listave të veteranëve, por nuk e dha emrin e tij.

 

Të ngjashme