Protestë në Kaçanik kundër dhunës në familje

Prishtinë | 27 Gus 2018 | 14:54 | Nga
Nën moton “Boll Ma” sot në Kaçanik u protestua kundër vrasjeve të grave dhe dhunës ndaj tyre.

Në këtë aksion, organizata “INJECT” e përkrahur nga shoqëria civile e Kaçanikut kërkuan shkarkimin e zyrtarëve policorë të cilët neglizhuan kërkesën për ndihmë nga viktimat dhe shkarkimin e prokurorit të Gjakovës.

Kjo protestë u bë në kërkim të drejtësisë për dy viktimat në Gjakovë javë më parë, nënë e bijë, që vdiqën si pasojë e dhunës në familje.

Diturie Neziraj, aktiviste e shoqërisë civile, iu bashkangjit thirrjes për dorëheqjen e përgjegjësve që neglizhuan dhënien e ndihmës së kërkuar nga viktimat.

“Dhuna nuk është zgjidhje. Nëse ti nuk folë, kush ka me folë për ty. Ti nuk je pronë e kërkujt, mos lejo me të drejtu dikush tjetër”, tha Neziraj gjatë një fjalimi para protestuesve.

“Qysh me jetu na me frikë? Policia thotë “shko te shpija se nuk lajmrohet burri për një shuplakë” por ajo shuplakë të dërgon te plumbi. Ata duhet me i’u pergjigjë thirrjeve tona për ndihmë. Lëndët në gjykatë duhet të shqyrtohen seriozisht dhe të dënohen kryesit e veprës. Jepni dorëheqje!”, tha ajo.

Ilire Raka nga Kaçaniku tha se protesta e sotme nuk është beteje në mes dy gjinive por kundër trajtimit selektiv.

“Të jesh grua në Kosovë është e vështirë. Kosova s’ka gra për të humbur”, tha Raka.

Luljeta Aliu tha se gratë po vdesin si shkak i mungesë së profesionalizimit të policëve dhe institucioneve të vendit.

“Ne jemi të kapun prej drejtësisë që bën dallime në gjini. Neve po na prek çdo ditë. Institucioneve tona s’po i doken të vlefshme thirrjet e grave sa i duken të politikanëve. Ne kemi me vazhdu me kundërshtu, se tani është koha emergjente. Kemi të drejtë me pasë të drejtë”, tha ajo

E pranishme në këtë protestë ishte edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje, Saranda Bugojevci.

Protestuesit marshuan drejte objektit të gjykatës dhe policisë së Kaçanikut.

Valbona Nrecaj dhe vajza e saj u qëlluan për vdekje në mbrëmjen e 7 gushtit në fshatin Brekovc të Gjakovës.

Dyshohet se dorasi është ish-bashkëshorti i viktimës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme