Protestohet kundër reduktimeve të rrymës, do kërkohet shkarkimi i Artane Rizvanollit

Prishtinë | 27 Dhj 2021 | 07:22 | Nga Ekonomia Online

Këtë të hënë janë paralajmëruar dy protesta kundër reduktimeve të energjisë elektrike.

Fillimisht është paralajmëruar një konferencë për media, e cila do të mbahet sot, duke filluar nga ora 11:00, para Qeverisë së Kosovës.

Organizatorët e protestës kërkojnë nga KEDS rrymë 24 orë/7 ditë në javë, shkarkimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli si dhe nacionalizimin e KEDS-it.

Në një event në Facebook ku ftohen të gjithë qytetarët e Kosovës që të bashkohen në protesta, siç i quajnë mbarëkombëtare kundër manipulimeve dhe papërgjegjësisë të vazhdueshme të KEDS ndaj qytetarëve të vendit.

“KEDS bashkë me Qeverinë na e kanë kthyer terrin në Kosovë. Gjatë kësaj jave, Qeveria dhe KEDS-i na informuan se do të rikthehen reduktimet e energjisë elektrike për shkak të krizës energjetike. Sipas njoftimit zyrtar të tyre, reduktimet do të ishin nga 2 orë në orare të caktuara. Përkundër këtyre njoftimeve, reduktimet e rrymës po zgjasin deri në 24 orë. E kjo gjendje, sipas njoftimit të Qeverisë pritet të zgjasë edhe dy muajt tjerë”, thuhet në njoftimin e protestës.

Tutje, në këtë paralajmërim thuhet se KEDS-i është duke dështuar që t’i përmbushë obligimet e saj për furnizimin me energji elektrike 24 orë/7 ditë në javë.

“Në anën tjetër, këtë dështim Qeveria është duke na e faturuar neve, duke e subvencionuar KEDS-in me 20 milionë euro nga paraja publike”, thuhet më tutje në këtë paralajmërim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme