Protestohet në mbështetje të mësuese që u ther me thikë, të shtohet siguria në shkolla

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 13:20 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Para shkollës “7 Marsi” në Prishtinë është protestuar në shenjë solidarizimi me mësuesen Vlora Paci, e cila ditë më parë u sulmua me thikë nga prindi i një nxënësi të kësaj shkolle.

Drejtoresha e shkollës, Shpresa Gashi bëri thirrje që të shtohet siguria në shkolla, raporton Ekonomia Online.

“Ne kërkojmë të respektohet dinjiteti dhe siguria e fëmijëve e pastaj edhe të gjithë neve”.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari tha se institucionet përgjegjëse duhet të shtojnë angazhimet në rritjen e sigurisë së nxënësve dhe kolegëve mësimdhënës.

“Duke uruar që ky rast të jetë i fundit që po ndodhë në shkollat tona. Uroj që institucionet tona arsimore të kenë pavarësi në të ardhmen dhe të jenë të sigurt. Institucionet tona duhet t’i shtojnë angazhimet që nxënësit e kolegët tanë të jenë të sigurt”.

Violeta Kalludra mësimdhënëse e klasave të treta, e ka quajtur këtë rast si kulm i të gjitha fyerjeve që po u bëhen mësimdhënësve.

“Ka ndodhur një rast që nuk ka ndodhur më parë në Kosovë. Është rast që na ka prek të gjithëve shpirtërisht. Mjaft po jemi të ngarkuar çdo ditë edhe përmes medieve ku mësimdhënësi po fyhet, por ky rast ka qenë kulmi i të gjithave”. 

Sipas saj, ndaj mësueses së therur nuk ka pasur asnjëherë ankesa apo vërejtje.

“Mësuesja Vlorë ka qenë e sjellshme dhe nuk ka pas asnjëherë asnjë ankesë nga asnjë prind, që ka fyer ndonjë nxënës ose me përdorë dhunë”.

“Rasti ka qenë i papritur nuk është paralajmëruar më parë përmes ndonjë kërcënimi. Nuk ekziston asnjë arsye që çon deri të tentimi i vrasjes së një mësuese”.

Ajo shtoi se mësuesja Vlora i ka dhënë mësim edhe një fëmije tjetër të të dyshuarës, mirëpo thotë se ata kanë qenë gjithnjë fëmijë të sjellshëm dhe nuk ka pasur arsye asnjëherë që mund të çonte në një vepër të tillë.

“Mësuesja në fjalë ka pasur edhe një fëmijë i cili tash është në klasën e pestë dhe atë fëmijë në parashkollorë. Mësueset edhe të këtij të klasës së pestë edhe atij në parashkollorë kanë tregu që fëmijë shumë të urtë, të sjellshëm dhe nuk ka pas arsye që as me i dhënë vërejtje ndonjëherë ose të ndodhë diçka tjetër, ose të çojë te kjo arsye”.

Olsa Klinaku, kryetare e shoqatës së shkollës, tha se ku rast i ka shqetësuar të gjithë duke i bërë të ndjehen edhe të pasigurt në ambientet shkollore.

“Më 30.4.2019 mësuesja u therrë nga një prind. Që të mos ndodhë përsëri po shprehim solidaritet të mos ndodhë më”.

“Duke kaluar me vite me radhë e duke mos pas asnjë problem me askë kjo mësuese, ky akt i shqetëson të gjithë. Asnjë nga ne nuk ka pas probleme e konflikte me mësuesen. Lajmi na ka bë të ndjehemi të pasigurt në ambientet shkollore. Këta mësimdhënës kanë mirënjohjen e secilit prej nesh”.

Këtë të martë, ishte goditur tri herë me thikë mësuesja 49-vjeçare e shkollës “7 Marsi” në Prishtinë, ndërsa pas trajtimit mjekësor të marrë gjendja e saj është stabile, raporton EO.

Ngjarja kishte ndodhur në korridoret e shkollës, derisa e dyshuara në këtë rast, prindi i një fëmije të klasës parashkollore, është arrestuar nga Policia.

Të ngjashme