Protestohet në Prishtinë me moton “Marshojmë s’festojmë”

Prishtinë | 08 Mar 2021 | 08:44 | Nga Ekonomia Online

8 Marsi është Ditë që duhet shënuar. Sepse është ditë që simbolizon një hap të rëndësishëm në përpjekjen për barazi gjinore, e përmes saj për barazi shoqërore. Nuk është thjeshtë një ditë kur gratë u ngriten në këmbë për të insistuar për të drejtat e tyre– është ditë kur gratë punëtore kërkonin kushte të barabarta, trajtim të barabartë. Pra është dita që manifeston ngjalljen e të nëpërkëmbures kundër sistemin eksploatues të instaluar me kohë.

8 Marsi nuk e lufton vetëm pabarazinë e gruas brenda sistemit të
pabarazisë shoqërore. E lufton strukturën shoqërore e cila përgjithësisht është e ngritur përmbi pabarazi. Tash e sa vite në Kosovë kjo ditë shënohet përmes protestës. Përmes slloganit “MARSHOJMË S’FESTOJMË”. Dhe ky slogan duhet kuptuar mirë. Është mënyra më e mirë për ta evokuar frymën e 8 Marsi, frymë kjo proteste e rezistence, që shprehet përmes Marshimit. Por njëkohësisht për ta manifestuar pabarazinë ende të pranishme
në shoqërinë tonë, duke e refuzuar festën si moment kënaqësie për të arriturat, dhe duke insistuar se kemi më shumë nevojë për barazi. Prandaj S’Festojmë. Sepse vazhdojmë të jemi të pakënaqur/a. Sepse vazhdojmë të jemi të pabarabartë/a.

Instituti për Politika Sociale “Musine Kokalari” mbështet në plotni marshin e sotëm. Ashtu siç mbështesim të gjitha aktivitetet nga cilado organizatë shoqërore që vë në pah pabarazinë dhe insiston në barazi mes gjinive, si një dimension tejet i rëndësishëm i barazisë shoqërore. Sepse ka shumë arsye për të mos festuar.Shoqëria kosovare vazhdon të lëngojë nga një traditë e theksuar patriarkaliteti që gruan e sheh si mje përdorimi e jo si njeri. Ajo është makina e punëve të shtëpisë, e lindjes dhe rritjes së fëmijëve, por edhe mjet i shfryrjes së frustrimit të burrit.

Ndërkohë që kjo mendësi patriarkale e kombinuar me qasjen egërsisht neoliberale të tregëzimit të secilit aspekt të jetës shoqërore, qasje kjo që e racionalizon çdo gjë përmes lenteve të profitit financiar,ka krijuar një realitet shoqëror skajshmërisht të dehumanizuar. Kështu në kushtet te tregut dhe profitit është bërë joprofitabile të punësohen gratë për shkak se ato duhet të lindin fëmijë. Përkundër faktit që sot në Kosovë përqindja e grave me kualifikim universitar (52.1%) e tejkalon dukshëm atë të burrave (47.9%), gratë në përgjithësi marrin pjesë shumë pak në tregun e punës (vetëm 12.7%) krahasuar me burrat (46.6%).


Pra, gratë punojnë në shtëpi. Por, nuk u vlerësohet kjo punë. Në Kosovë ende nuk ka një matje të saktë të punës së papaguar, numrit të orëve që shpenzohet për këto punë,dhe vlera monetare e kësaj pune që investohet në shoqëri. Madje shoqëria jonë e ligjet tona as që e njehin këtë si punë. Ndërkohë që ajo është pjesa më e madhe produktivitetit shoqëror agregat duke pasur parasysh vëllimin e madh të saj dhe shumëdimensionalitetin e kësaj pune (kujdes ndaj fëmijëve, higjienës, ushqimit, arsimimit, kujdes ndaj të moshuarëve, kujdes ndaj të sëmurëve, etj.). Por jo vetëm kaq.

Gratë njëkohësisht janë të përjashtuara realisht nga përvetësimi i pasurisë përkundër faktit që marrin pjesë në krijimin e mirëmbajtjen e saj. Tashëgimi i pasurisë së përbashkët familjare te gratë vazhdon të mbetet shumë i ulët përkundër faktit që ligji u garanton pjesëmarrje të barabartë.
Janë pikërisht këto përjashtime që e bëjnë gruan të pabarabartë. Kështu sistemi ekonomik në njërën anë e shfrytëzon defiçiencën kulturore të patriarkatit, paragjykimet që ky ka ndaj gjinisë, ndërkohë që duke e shfrytëzuar edhe e ushqen. Dhe të dyja bëhen rrethi vicioz i pabarazisë. Kundër së cilës duhet protestuar. Sikur më 8 Mars. Kur
do të MARSHOJMË. Sepse nuk mund T’FESTOJMË.

Të ngjashme