Protestojnë banorët e Shipitullës, kërkojnë punësim në KEK siç iu premtua nga Haradinaj

Prishtinë | 07 Qer 2018 | 12:04 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Banorët e Shipitullës kanë protestuar para Qeverisë për mos realizimin e premtimit të kryeministrit Ramush Haradinajt, për punësimin e një anëtari të një familje në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe shpronësim.

Banorët u shprehën të mllefosur me mos mbajtjen e premtimit nga ana e kryeministrit dhe paralajmëruan edhe një protestë tjetër nëse vazhdon të mos ketë rezultate duke paralajmëruar se do të ndalojnë punimet që janë duke u kryer në tokat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Përmes Policisë së Kosovës e cila po qëndronte pranë Qeverisë për të mbajtur rendin, banorëve u thanë se kryeministri Hardinaj së shpejti do t’i thërrasë përfaqësuesit e lagjeve për të biseduar për këtë çështje, por që momentalisht ai është në takime të tjera dhe është e pamundur të takohet me ta.

Nexhmedin Mjekiqi përfaqësues i lagjes Mjekiqi nga fshatit Shipitull, tha premtimi i Haradinajt për punësimin e një anëtari nga një familje nuk është realizuar.

Sipas tij, në KEK janë punësuar disa persona që nuk janë banorë të fshatrave Hade dhe Shipitullë.

“Premtimin që e ka dhënë kryeministri dhe reaksioni që e ka zhvillu në këtë drejtim është i suksesshëm, prandaj edhe çështja e punësimit shpresojmë që do jetë e suksesshme megjithatë është e arsyeshme, por një gjë është e çuditshme në KEK ka ndodhur një punësim i kuadrove me përgatitje superiore me një numër të caktuar ku asnjë pjesëtarë i asnjë familje i këtij fshati i asaj zone të shpronësimit nuk është përfshirë fatkeqësisht”.

“… ndërsa premtimet janë të nivelit ashtu siç janë dhe si janë dhënë, ne kërkojmë që sa më shpejtë të takohemi me kryeministrin, me zyrtarët e kryeministrit që të kemi përgjigje pozitive”.

Ndërsa, Isuf Jekiqi njëri nga banorët tjerë të mllefosur tha se kërkon që të rinjtë e kësaj zonë të punësohen ashtu edhe siç iu është premtuar .

“Të kalojnë 7-8 muaj dhe të mos jepet asnjë informatë pse nuk merren të rinjtë në punë ky është një dëm i madh i cili është tu shkuar dhe posaçërisht për popullatën e Shipitullës e të komunës së Obiliqit dhe posaçërisht ata të cilët jemi të dëmtuar drejtpërdrejtë me humbë pronën, pronë e cila është pronë e shenjtë, pronë e stërgjyshërve tonë dem baba dem për të cilën kemi arsye të protestojmë dhe të dalim e t’i ndalim ekskavatorët që të mos punojnë aty deri sa të arrihet suksesi dhe qëllimi jonë i arsyeshëm që është për ne punësimi i të rinjve”, tha Isuf Jekiqi.

“Sot e mbajtëm një protestë para Qeverisë së Kosovës shkaku që nuk është mbajtur premtimi për punësim. Kjo ka qenë marrëveshje bashkë me kryeministrin e Kosovës dhe fshatarët, por kjo punë ka ngecur gjatë që një vit dhe këtë premtim e kemi marrë nga kryeministri dhe zyra e qeverisë”.

“Nëse nuk reflekton zyra e qeverisë, në herën tjetër në ditët në vijim do mbajmë protestë para bagerave e do ta bllokojmë punën dhe besoj që do vijë koha sikur vitin e kaluar që ishte Kosova në kolaps energjetik, do vijë koha përsëri dhe besoj që e kemi këtë kërkesë të arsyeshme sepse me tokën tonë po furnizohet e tërë Kosova dhe kjo është në interes nacional e jo vetëm në interes të Shipitullës”, tha Albion Mjekiqi banor i fshatit Shipitullë.

Të ngjashme