Protestojnë disa banorë të Qendrës, ankohen se lokalet po bëjnë zhurmë

Prishtinë | 21 Jan 2019 | 10:54 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Disa banorë të lagjes “Qendra” në kryeqytet, kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit Komunal të Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Ata po ankohen se vazhdimisht kafiteritë në këtë zonë,  po thyejnë ligjin prishur rendin dhe qetësinë publike me muzikë dhe zhurmë deri në orët e vona të natës.

Banorët thonë se e kanë të pamundur që të pushojnë të qetë në banesat e tyre nga zhurma e tejzgjatur e kafiterive që ndodhen në rrugën “Rexhep Luci” në kryeqytet, raporton EO.

Banorja Drita Begraca tha se si e moshuar e ka të pamundur funksionimin në këtë pjesë, ku ka shumë zhurmë dhe mungesë parqesh.

“Zhurmat, ata deri n10 a n 11 kanë të drejtë. Mas 11 ve, i lëshojnë me ni edhe k’to zhurma si për inatë, na jemi, ju kush jeni. Na këto banesa i kemi fitu i kemi ble me punë e me mundi me ardhë tylifar matrapazi kërkushat. Po na sundojnë me një fjalë a këto sundime janë tjetër kujna. Kanë leje prej tjetër kujt. Aferim ju koft ktyne të mdhajve që po i shtypin popullin për pare me fitu se janë kafiqat e atyne”, tha Begraca.

Të njëjtin shqetësim e ka edhe Shqipe Shkodra, e cila pohon se kanë probleme me parkingje dhe zhurma të cilat krijohen nga lokalet deri në orët e vona.

Sipas saj, lejet për funksionimin e këtyre lokaleve janë keqpërdorur.

“Vërtetë di që kanë marr do leje prej Komunës, e di për distenime tjera. Por për ndonjë veprimtari gjatë ditës që ushtrohet ndonjë butik, garderobë e kështu me radhë. Por janë keqpërdorur qato leje, janë hequr tërësisht gjelbërimet, kemi të hendikepuar, hyrje dalje nuk kemi absolut prej lagjes. Gjatë ditës kerret s’kemi shans me i dhezë me dal prej, ndonjë urgjencë a diçka, ndihma e shpejtë nuk ka qasje me lagjen tonë “Rexhep Luci”, po flas. Se janë parkingjet e nxana të ngarkume, nuk kemi mu parku. Ato çadra ma zi se në Stankovec”, Shqipe Shkodra

Banorët u ftuan për një diskutim me përfaqësuesit e Komunës së Prishtinës.

Sipas banorit të lagjes “Qendra”, Shefki Ukaj ata u pritën nga dy nënkryetarët e Komunës, drejtori i Shërbimeve Publike dhe ai i Inspektoratit.

Ukaj tha se i morën shqetësimet e banorëve, për të cilat thotë se udhëheqësit e Komunës u dakorduan për një takim të përbashkët.

“Ne e patëm një takim me dy nënkryetarët e Komunës edhe ishim tek drejtori i Shërbimeve Publike dhe ai Inspektoratit. I shtuam problemet sociale që po e rëndojnë jetën e banorëve me muzike e parkingje dhe kërkuam prej krerëve të komunës që të lehtësohet jeta e qytetarëve dhe të ndalet uzurpimi i hapësirës publike, shfrenimi i muzikës që bëhet për çdo natë dhe të gjendet zgjidhja sa më shpejtë e parkingut, veturave. Morëm tri përgjigje, çka do të bëjmë,. Morëm që do të ndalet zhurma e muzikës me një izolim të veçantë ku mos të ndihet tek banorët edhe kanë mbete me pas një takim të veçantë. Pika e dytë është parkingu, morëm informacion që është gati parking Prishtina, është emëruar edhe bordi dhe po punojnë me një rregullore, por nuk morëm informatë se kur përfundon” , tha Ukaj raporton EO.

Për këtë takim foli edhe zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri. Ky i fundit tha se bëhet zhurmë nga lokalet për të cilat ndërhynë edhe Policia e Kosovës.

Sipas tij, Policia e ka të drejtën edhe të lëshimit të gjobave.

“Është zhurma nëpër lokale, shumë shpesh kemi pasur bashkëpunim me Policinë që të zgjidhet ky problem, kemi takuar disa herë për të kërkuar mirëkuptim pronarët e lokaleve mirëpo siç po e nuk shkon përmes mirëkuptimit. Për prishje të rendit dhe qetësisë publike ka të drejtën Policia që të gjobisë në raste të tilla”, tha Tahiri.

Edhe sipas Tahirit do të jetë një takim i përbashkët me përfaqësuesit e Komunës, banorët dhe ata të lokaleve për të gjetur një mirëkuptim rreth kësaj situate.

Të ngjashme