Protestojnë ish-ushtarët e UÇK-së, kërkojnë pensione më të larta

Prishtinë | 15 Shk 2019 | 13:27 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, disa veteranë të luftës kanë protestuar në shenjë pakënaqësie që sipas tyre po u bëhet e padrejtë nga qeveritarët dhe nuk po respektohen dinjitetshëm me paga aq sa e meritojnë. Ata kërkuan që veteranët e luftës të trajtohen me ligj dhe të kenë paga më të dinjitetshme.

Ali Gashi, ish-ushtar i “Brigadës 113 Mujë Krasniqi” në Drenicë tha se individët të cilët ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe familjet e tyre meritojnë paga më të mëdha se sa edhe vetë deputetët e Kosovës.

“Kjo protestë ka për qëllim të i kthehet dinjiteti vlerave të luftës dhe të mos konsiderohen vlerat e luftës si rendi i fundit të kësaj shoqërie të pasluftës. UÇK është më meritorja për shtetin e Kosovës, familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës, veteranët e vërtetë, familjet e martirëve, të të zhdukurve, këto kategori janë themeli më i fuqishëm i shtetit tonë”, tha Gashi.

Gashi tha se në seancën kur u votua ligji i pagave, askujt nuk i ra ndërmend për veteranët e luftës, ai kërkon që këto kategori të trajtohen me ligj ashtu siç e meritojnë.

“Ne mendojmë se familjet e dëshmorëve duhet ta kenë pagën më të madhe se sa deputeti, flijimi i jetës është mesazh më i madh se sa fjalimet e rezultatet në foltore. Invalidi i luftës duhet ta ketë pagën më të madhe se sa të profesorit, mësimin për atdhe dashuri e dha duke lënë gjymtyrët e veta. Veterani duhet të ketë pagë më të madhe se polici, morëm një detyrë në kohë kur rreziku ishte në çdo anë e minut. Të gjithë jemi dëshmitar të grevave të fundit që rezultuan me rritje të pagave, në seancë kur u vendos rritja e pagave për gjithë sektorët, askujt nuk i ra ndërmend për kategoritë e luftës”, shtoi ai.

“Kërkojmë nga qeveria e parlamenti që këto kategori të luftës të trajtohen me ligj e dinjitet ashtu sic e meritojmë, nuk do ndalemi deri në realizimin e kërkesave tona, prandaj kujdes me vlerat e luftës”, tha Gashi.

Valentina Haliti, ish-ushtare e “Brigadës 112 Arben Haliti” në Drenicë, ka përmendur kërkesat e tyre karshi qeverisë dhe parlamentit të Kosovës.

“Ne kërkojmë nga qeveria të amandamentohet ligji i vlerave të luftës që çdo anëtar i këtyre kategorive të mbrohet me ligj, të hiqen veteranët e rrejshëm, të përmbyllen listat definitive, të trajtohen në mënyrë të denjë dëshmorët dhe familjet e tyre, të rriten pensionet e familjarëve, të dëshmorëve, martirëve, pensionet për invalid e veteran, të kenë të drejtë pune veteranët pasi që pensioni është benefit dhe jo pagë dinjitoze, të rimbursohen ilaçet për invalid, veterani i vërtetë të ketë të drejta kudo që jeton tani sepse në luftë ka qenë këtu”, tha Haliti.

Milazim Elshani nga “Brigada 121 Ismet Jashari Kumanovë” Pashtrik tha se kjo protestë është për të kundërshtuar turpin që po u bëhet atyre dhe paralajmëroi se protesta nuk do ndalen deri sa të u realizohen kërkesat e tyre.

“Qëllimi i kësaj proteste është të kundërshtojmë turpin që i është bërë kategroive të luftës nga njerëz të caktuar të politikës, jetës civile edhe ushtarake. Duke pas parasyshë gjendjen e rëndë të veteranëve të cilët çdo ditë ballafaqohen me sëmundje të ndryshme, me sëmundje të rënda askush nga kjo qeveri nuk kujdeset për ta, arsyeja e vetme pse jemi këtu të u tregojmë këtyre se sot ka fillu protesta dhe nuk do përfundoj deri sa të realizohen kërkesat tona”, tha Elshani

Të ngjashme