Protestojnë punëtorët e komunikacionit, kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro

Prishtinë | 01 Maj 2021 | 12:46 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët e sektorit të komunikacionit në Kosovë në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve kanë protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ata kanë marshuar drejt Qeverisë së Kosovës për të shprehur pakënaqësistë e tyre dhe shkeljen e të drejtave në punë, raporton Ekonomia Online.

Alush Sejdiu, Kryetar i Federatës për Komunikacion dhe Lidhje të Kosovës, ka thënë se kërkesat e këtij sektori janë të shumta, sipas tij 1 maji, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, Kosovën e gjen në një situatë të rëndë.

“Përveç Covid-19, punëtoret ballafaqohen me shkeljet e të drejtave më elementare duke filluar prej largimit nga puna, paga minimale është e ulët, kemi mosrespektim të kontratës kolektive, mosrespektim të ligjit të punës dhe deri tek mosrespektimi i orarit”, ka thënë Sejdiu.

Tutje, ai thotë se kërkesa e tyre ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe paga minimale të jetë se paku 400 euro.

“Kërkesa jonë ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe marrja e masave ndaj punëdhënësve, të cilët i shkelin të drejtat e punëtorëve të garantuara me ligj. Paga minimale duhet të jetë së paku 400 euro, të zbatohet 0.5% e përvojës së punës dhe orari i punës të respektohet dhe për çdo shtesë të kompensohen punëtorët e të garantohet transporti”.

Protestuesit kanë kërkuar po ashtu të formohet Gjykata e Punës e cila do të merrej vetëm me kontestet e punëtorëve në vendin e tyre të punës.

“1 Maji, punëtorët e Kosovës po i gjen në një pozitë shumë të rëndë, të përbuzur dhe të injoruar nga institucionet dhe nga punëdhënësit, prej vitit 1985 kur për herë të parë pas një sakrifice të madhe u vendosen disa të drejta elementare për punëtorët. Një prej këtyre të drejtave elementare është orari i punës. Kjo është një marshim, protesta paralajmëruese për arsye se nëse vazhdohet me këtë trend të papërgjegjësisë, ne nuk do të ndalemi me protesta”, kanë thënë protestuesit.

Në shenjë simbolike, ata kanë hedhur në tokë mjete mbrojtëse të punës si dhe kanë vendosur pankartat e tyre afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme