Protestojnë punëtorët e “KRU Prishtina”, kërkojnë shkarkimin e bordit

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 11:53 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorë të “KRU Prishtina”, kanë protestuar gjatë së enjtes në lidhje me zhvillimet e fundit në këtë ndërmarrje, raporton Ekonomia Online.

Në vendimin e fundit të bordit të kësaj Kompanie, për shkarkimin e drejtorit, Ilir Abdullahut, kanë kërkuar që në vend të tij të vijë ndonjë zëvendësdrejtor e jo dikush tjetër.

Kërkesa tjetër e Sindikatës së punëtorëve në “KRU Prishtina”, është edhe shkarkimi i bordit. Kryetari i Sindikatës, Reshit Mehmeti, në një prononcim për Ekonomia Online, ka thënë se keqmenaxhimi në këtë ndërmarrje mund ta dëmtojë Ujësjellësin deri në 200 mijë euro.

“Në KRU Prishtina është një keqmenaxhim dhe jo vetëm tani por edhe më herët kur kanë ndodhur këto gjëra, duke filluar me shkarkimet e dy drejtorëve, ku me shkarkimet e tyre tani më ka ardhur një vendim i shkallës së parë ku dëmton Ujësjellësin afro 200 mijë euro”.

“Tash sërish është bërë një keqmenaxhim kur është bërë shkarkimi i drejtorit, sepse ne nuk jemi kundër askujt por mendojmë se është bërë një shkelje sepse për momentin që është shkarkuar drejtori atë duhet ta zëvendësojë zëvendësdrejtori. Dhe tani është emëruar një u.d.drejtorit, që nuk kemi asgjë personalisht me të por mendojmë se është shkelje e ligjit”, ka thënë ai.

“Masat tona për momentin nuk do të japim diçka të veçantë por ne do të ulemi dhe do të bisedojmë sërish që të gjejmë një marrëveshje me kryesinë e Sindikatës. Ne kemi mbajtur një mbledhje dje ku kemi dal me një qëndrim”, ka thënë ai.

Në mbledhjen e mbajtur të mërkurën, kjo Sindikatë, ka dalë me gjashtë pika, ku ndër to specifikohet, keqmenaxhimi i nga Bordi dhe menaxhmenti, nepotizmi në kompani, avancimi i punëtorëve pa kritere, e shumë të tjera.

Shyqyri Krasniqi menaxher i një departamenti në këtë kompani, ka thënë se është hera e parë që gazetarëve iu ndalohet hyrja “KRU Prishtina”.

“Është hera e parë që gazetarët ndalohen në “KRU Prishtina”. Çdo herë, kanë pasur qasje në kompaninë tonë, prandaj ndihem shumë keq kush ka dhënë urdhër që të ndaloheni që mos të hyni brenda”, ka thënë ai.

Të ngjashme