Protestojnë qytetarët e Gjakovës: Kriminelët po vijnë nën petkun e pelegrinit

Gjakovë | 06 Jan 2019 | 15:50 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qytetarët e Gjakovës në mesin e tyre familjarë të dëshmorëve dhe martirëve të këtij qyteti, sërish kanë protestuar për të kundërshtuar ardhjen e pelegrinëve serb në Kishën Ortodokse serbe, raporton Ekonomia Online.

Ardhja për të kryer ritet fetare, nuk po iu pëlqen banorëve të Komunës së Gjakovës. Këta të fundit dolën pikërisht para kishës ortodokse për të iu treguar qytetarëve serb se janë të pa dëshiruar në vendin e tyre.

Gjakovarët thanë se  nuk janë kundër asnjë feje dhe asnjë kombi, por jemi kundër ardhjes së atyre që kryen krime, të cilët nën petkun e pelegrinëve dëshirojnë të vijnë në Gjakovë.

Pashke Lleshi e revoltuar me të këqijat që ka bërë populli serb, pyeti a janë të ndërgjegjshëm për krimet që kanë bërë.

“A i nijnë nonat e juaja me durë n’gji, a jeni veshun zi, a u kanë dalë gratë n’gjini, a ka mbetë motra pa fmi, a keni ndërgjegje o njerëz të pa ndërgjegjshëm”, u shpreh e revoltuar Lleshi.

Ndërsa qytetari, Kasim Qerkezi, tha se atyre u pengon ardhja e kriminelëve serb nën petkun e pelegrinit, këtë ai e quan të papranueshme.

“Ne nuk kemi dalë kundër ardhjes së pelegrinëve por kemi dalë ardhjes së kriminelëve serb, sepse ata fshihen nën petkun e pelegrinëve e vijnë në Gjakovë e në krejt Kosovën shëtisin si të lirë. Nuk jemi kundër pelegrinëve por jemi kundër kriminelëve. Kërkesa jonë është gjinden bijtë tanë dhe të zihen kriminelët të japin përgjegjësi, kjo është kërkesa jonë kryesore”, u shpreh qytetari Kasim Qerkezi.

Nënat e viktimave të luftës të cilët mbanin në duar fotografitë e më të dashurve të tyre thanë se kjo vizitë është një provokim dhe se nuk lejojmë që ata të cilët bënë masakër gjatë vitit 1999 të vijnë  në Gjakovë, në vendin që plaga nuk është shëruar ende.

Nevzete Luzha u shpreh se serbët nuk e kanë vendin në Gjakovë. Ajo përmendi krimet që i kanë bërë serbët gjatë luftës në këtë qytet dhe në tërë Kosovën.

“Ata kriminelë nuk e kanë vendin këtu në Gjakovë, kurrë na nonat apo kurrë qiky popull, ata kurrë nuk guxojnë më hi. Krimet që i kanë bo, për kalljet që i kanë bo, dhunimet që i kanë bo. Ata s’kanë kursyer as pleq të paralizuar, s’kan kursyer as fmi, s’kan kursyer askënd hiq, hiq. Na e dimë se kom nejt krejt kohën në Gjakovë, kom pa shumë sene, por spo kam forcë ta shpjegoj, megjithëqë është dashur që të flas sot pak më shumë. Prej dhimtes jo veç djemve të mijë, krejt Kosovës, sidomos Gjakova ka qenë më e rrezikuar prej qyteteve tjera. Ky popull kaq kriminel që ka bo krejt ish Jugosvllavinë, kadalë dale kanë mu shtjerr krejt”, u shpreh Luzha, raporton Ekonomia Online.

Për Luljeta Sharanin tash e 20 vjet nënat gjakovare me brengën e vitit 1999, ku serbët ua morën më të dashurit e tyre, prej të cilëve, ende nuk dihet për fatin e tyre.

“Kërkesa jonë është të kundërshtohet ardhja e pelegrinëve, e sata me radhë që janë ka vijnë. Ne nuk i pranojmë ata, përderisa e dijmë cdo krim që kanë bo. Kanë vra, kanë masakruar, kanë plaçkitë, kanë djeg kështu që ata nuk kanë vend për me ardhur këtu. Nuk janë të mirëseardhur, kërkojmë që të mos tentojnë asnjë herë të vijnë këtu, sepse nënat nuk lejojnë me ardhur. Nuk jemi të qeta tash e 20 vjet, dy dekada po bëhen pa prapë njëjtë jemi dhe sidomos sivjet është viti 2019, po më duket i njëjtë si 1999”, u shpreh Sharani.

Protestuesit u njoftuan nga Policia e Kosovës, se këtë të diel nuk do të ketë qytetarë serb për pelegrinazh në Kishën Ortodokse në Gjakovë.

Pas kësaj, qytetarët vendosën pankarta me emrat e serbëve, që sipas tyre kanë kryer krime në Gjakovë si dhe ato më mbishkrimet; “I keni duart me gjak” dhe “Gjakova nuk harron”.

Përkundër temperaturave të ulëta qytetarët qëndruan rreth tri orë para kishës ortodokse mirëpo pelegrinët serb nuk erdhën. Protesta përfundojë e qetë dhe pa asnjë incident.

Mosardhjen e serbëve për ritualet fetare kudo në Kosovë, e ka konfirmuar edhe këshilltari në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj. Ai ka bërë të ditur se një gjë e tillë nuk është kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe se për këto rituale, serbët duhet të kenë leje nga Republika e Kosovës.

Të ngjashme