PSD-ja kërkon të rritet paga minimale, thonë se nuk i mbulon nevojat themelore për jetë

Prishtinë | 19 Shk 2019 | 14:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka organizuar tryezë diskutimi për gjendjen e punëtorëve në sektorin privat karshi pagës minimale, me titull “Pagë me jetu”, raporton Ekonomia Online.

PSD-ja ka propozuar që paga minimale në Kosovë të rritet ashtu që t’i plotësohen nevojat secilit qytetarë për jetë, të drejtën në pagë minimale ta ketë secili qytetar nga mosha 18 vjeçare, të luftohet diskriminimi gjinor dhe pjesëmarrja e ulët e gruas në fuqinë punëtore.

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri, tha se paga minimale aktualisht në Kosovë prej 170 euro nuk e zbutë varfërinë e sidomos me Ligjin e Pagave ku punëtorët e sektorit privat do të jenë më të shkelurit. Ymeri tha se interpelanca e thirrur nga PSD-ja do të nxisë debatin për pagën minimale në Kosovë sepse është çështje që prek shumë njerëz dhe që është lënë anash për një kohë të gjatë.

“Paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon, ajo aktualisht është 170 për të punësuarit mbi moshën 35 vjeçare dhe 130 euro për ata nën këtë moshë. Kjo pagë nuk mbulon minimum e nevojshëm për jetë, paga minimale i lë në pragun e varfërisë”, tha Ymeri.

Ymeri tha se përgjatë periudhës 2011-2018 pagat në sektorin publik janë rritur 3 herë.

“Rritja e pagës minimale duke qenë se është ndërhyrje tek shtresa e punëtorëve që nuk ia dalin ta kapërcejnë muajin, do të rriste konsumin, pra do të shtonte kërkesën agregate në ekonomi. Ne mendojmë që politikat për të drejtat e punëtorëve duhet të ndikohen më së shumti nga punëtorët të organizuar në sindikata, punëtorët janë ata që e dinë më së miri manifestimin e shkeljes së të drejtave elementare të tyre. PSD do t’i mbështes kërkesat dhe do bashkëpunoj me sindikatat e punëtoreve për tu siguruar që punëtorët të kenë rol vendimmarrës kur vlerësohet mundi e djersa e tyre”, tha Ymeri.

Deputetja e PSD-së, Besa Baftiu, tha se ende në Kosovë ekziston pabarazia gjinore në punësim. Sipas saj gruaja në Kosovë është e përjashtuar nga jeta shoqërore-ekonomike.

“Struktura e të punësuarve në Kosovë është në shpërputhje të plotë me balancin gjinor sa i përket bazës materiale, përveç faktit që Kosova ka trashëguar një sistem te caktuar të punësimit dhe kulturës, ku burrat kanë qenë kryefamiljarë në një papunësi te thellë siç është rasti me Kosovën, kryefamiljari ka qenë i punësuari eventual”, tha Baftiu.

“…Duke qenë në pozitë të vështirë ekonomike me pagë të ulët, kontratë të përkohshme gratë nuk janë të lira dhe u cenohen të drejtat elementare të njeriut. Gratë në Kosovë janë të përjashtuara nga jeta ekonomike, në këtë mënyrë ato janë të përjashtuara nga jeta publike dhe politike”, tha ajo.

Studiuesi i politikës sociale, Artan Mustafa, tha se paga e ulët minimale në Kosovë ndikon negativisht në jetesën e qytetarëve, e kjo sipas tij është parë edhe me emigracionin e lartë që ka ndodhur viteve të fundit në Kosovë.

“Shkalla e varfërisë për ata që punojnë është më e larta me gjitha vendet në Evropë, sipas statistikave 15.2% gjithë ata që punojnë jetojnë në familje të varfra. Të përcaktohet shkalla e pagës minimale bazuar në pagat e disponueshme të familjeve, për të nxjerrë rezultatet duhet bërë anketa, partitë me drejtim të majtë duhet të bëjnë presion me rrit kapacitetin e të dhënave që nxjerr dhe të jenë në dispozicion të publikut”, tha Mustafa,raporton EO.

Kryetari i BSPK-së, Avni Hajdini, tha se paga minimale në Kosovë duhet të jetë 250 euro dhe të korrigjohet pastaj për çdo vjet.

“Ne jemi dëshmitar që deri më tani shumë pak është bërë për këtë drejtim. Kërkesat e BSPK-së vetëm janë pranu dhe nuk janë shqyrtuar. Më vije mirë që ju do ta merrni një hap dhe do ta shpalosni në Parlament, por nuk është punë e lehtë, por besoj pasi që kemi një program të njëjtë social bashkërisht duhet ta shtyjmë këtë proces apo me shty Qeverinë me implementu ligjin e skemës për pagë minimale në 250 euro, madje çdo vjet duhet të korrigjohet paga minimale”, tha Hajdini.

PSD-ja ka kërkuar të inkurajohet organizimi me qëllim që të rritet ndikimi i punëtorëve në dialogun shoqëror, të përcaktohen kriteret e mirëqenies për përllogaritjen e pagës minimale në Kosovë, të sigurohen të dhëna të besueshme për llogaritjen e indikatorëve socio-eknomik që shërbejnë për caktimin e pagës minimale, të krijohen mekanizma për implementimin e pagës minimale etj.

Të ngjashme