Pse kanë rënë investimet kaq shumë nëpër komuna sivjet

Prishtinë | 26 Sht 2022 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Mitrovica e Jugut është vetëm njëra nga komunat e Kosovës, që gjatë këtij viti nuk ka nisur asnjë projekt kapital, të financuar nga Qeveria e Kosovës.

Në Ligjin për buxhet të vitit 2022 parashihen dhjetëra projekte kapitale në këtë komunë, përfshirë shenjëzimin në komunikacion, rregullimin dhe riparimin e rrugëve, të shtretërve të lumenjve, pastaj investime në administratë, shëndetësi, arsim e deri te renovimi i stadiumit “Adem Jashari”.

Nënkryetari i komunës, Arian Tahiri, konfirmon shkurtimisht se në asnjërin prej këtyre projekteve nuk kanë nisur punimet.

Sazan Ibrahimi, nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, thotë se probleme nga mungesa e investimeve kapitale kanë gati të 38 komunat e vendit.

“Në mungesë të investimeve, as jeta e qytetarit nuk mund të përmirësohet. Në zhvillimin ekonomik lokal ndikon edhe qasja në rrugë, kanalizim, ujësjellës etj. Në mungesë të saj, pengohet edhe zhvillimi i kompanive private, të cilat janë promotorë jashtëzakonisht të mëdhenj të punësimit”, thotë Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë.

Në komunën e Suharekës, e cila ndodhet rreth 80 kilometra larg Mitrovicës së Jugut, gjendet kompania private “Eurofamis”, e cila merret me ndërtimtari.

Pronari i kësaj kompanie, Ilir Bytyçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, viteve të kaluara, ka qenë i përfshirë në projekte kapitale të financuara nga shteti dhe se ka pasur mbi 120 punëtorë.

Këtë vit thotë se nuk ka pasur oferta për tenderë dhe se numri i punëtorëve i ka rënë në 20.

“Përveç numrit të punëtorëve, edhe puna e biznesit është vështirësuar”, thotë ai.
Buxheti i shtetit të Kosovës këtë vit është mbi 2.7 miliardë euro. Nga kjo shumë, mbi 720 milionë euro janë planifikuar për shpenzime kapitale.

Në Raportin 6-mujor Financiar, të publikuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës, thuhet se për projekte kapitale janë shpenzuar vetëm pak mbi 79 milionë euro dhe pranohet se ka normë më të ulët të ekzekutimit.

Sipas raportit, në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, për të njëjtin qëllim janë shpenzuar rreth 129 milionë euro, kurse në vitin 2020 rreth 92 milionë euro.

Nga vlerësimet e Institutit GAP, i cili monitoron punën e institucioneve të Kosovës, del se realizimi i investimeve kapitale në gjysmën e parë të vitit 2022 është më i ulëti në dekadën e fundit.

Pse kanë rënë investimet kapitale?

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Financave për arsyen e mosekzekutimit të mjeteve për projekte kapitale, por nuk ka marrë përgjigje.

Në Raportin Financiar thuhet se norma e ulët e ekzekutimit “është kryesisht rezultat i dinamikës së pagesës së faturave të fundvitit fiskal 2021, të cilave u është dhënë prioritet që të paguhen para datës 31 dhjetor, 2021, dhe të mos barten në vitin vijues”.

Bartja e pagesës së faturave të fundvitit në vitin vijues fiskal “zakonisht jep një pasqyrë më të lartë të shpenzimeve kapitale për gjysmën e parë të vitit” – gjë që nuk ka ndodhur këtë vit, thuhet në raport.

Sipas tij, dinamika më e ulët e investimeve është edhe rezultat i ngadalësimit të punëve nga ana e operatorëve ekonomikë, për shkak të rritjes së çmimeve të materialit ndërtimor.

Për kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, arsye e mosrealizimit të projekteve kapitale është, po ashtu, mosfunksionalizimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

“Aty ka qenë ajo hallka, ku për sa kohë, nuk ka qenë i kompletuar Bordi i OSHP-së…”, thotë Rafuna.

Organi Shqyrtues i Prokurimit, për më shumë se një vit, nuk ka qenë funksional. Në qershor të këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka votuar për përbërjen e re të bordit të tij.

Ky organ, që ndryshe njihet si Gjykata e Tenderëve, është institucioni kryesor që merret me shqyrtimin e tenderëve publikë.

Rafuna thotë se Qeveria duhet të gjejë mënyra për t’i zhbllokuar investimet kapitale, sepse ka rënë qarkullimi financiar i bizneseve.

Sipas tij, dinamika e ulët e realizimit të investimeve rrit shkallën e papunësisë dhe, rrjedhimisht, zvogëlon mirëqenien e qytetarëve.

Si mund të gjendet zgjidhja?

Autoritetet kompetente duhet t’i ndihmojnë bizneset e angazhuara në punë publike që të përballojnë çmimin e lartë të produkteve, thotë Rafuna.

“Këtë praktikë e kemi parë edhe në Shqipëri dhe në vende të tjera, ku Qeveria ka subvencionuar nivelin e çmimit”, thotë ai.

Nga Ministria e Financave e Kosovës kanë thënë në fillim të këtij muaji se kanë hartuar Projektligjin për punë publike, për të përshpejtuar dinamikën e zbatimit të investimeve kapitale në pjesën e dytë të vitit.

Ministri Hekuran Murati ka thënë se të gjitha punët publike do të mbështeten “me kompensim për çmimet e rritura”, por nuk ka sqaruar se në çfarë forme ose me sa për qind.

Në Kosovë, norma e inflacionit ka arritur në 13 për qind në muajin gusht, krahasuar me 0.2 për qind sa ka qenë gushtin e vitit 2021, tregojnë të dhënat e Agjencisë së Statistikave.

Vetëm kostoja e ndërtimit, këtë vit, ka pasur rritje për rreth 20 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.

Çmimi i çimentos, që është një nga materialet më të përdorura ndërtimore në Kosovë, është rritur tri herë.

Sipas përfaqësuesve të kompanive për prodhimin e betonit, çmimi i çimentos ka lëvizur nga 82 euro për ton, sa ka qenë në janar të këtij viti, në afër 130 euro.

Rritja e inflacionit gjetkë në botë ka nisur vitin e kaluar, për shkak të çrregullimeve në tregje që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, por ka vazhduar me ritëm më të shpejtë pasi Rusia ka nisur luftën në Ukrainë, në fund të shkurtit.

Të ngjashme