Pse po zvarriten punimet rreth shtatores së Wiliam Walkerit?

Prishtinë | 28 Maj 2017 | 08:36 | Nga

Banorët e fshatit Reçak kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me punimet që janë bërë në ndërtimin e shtatores së ish-kreut të Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës Wiliam Walker.
Thonë se komuna dhe Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale i kanë lënë punët në gjysmë dhe kanë keqmenaxhuar punimet rreth strukturës së shtatores së ish-kreut të Misionit Verifikues të OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

Armend Imeri, banor i fshatit Reçak tregon për KALLXO.com se ndriçimi nuk është realizuar, përkundër që ishte i planifikuar fillimisht. Ai kishte vërejtje edhe për shkallët që janë ndërtuar, që sipas tij janë të rrëshqitshme dhe janë punuar më të holla për dy centimetra se që është paraparë. Ai ka shprehur shqetësim edhe për mungesën e shtegut për personat me nevoja të veçanta.

Mehdi Salihu, drejtor për Planifikim Urban, Kadastër dhe Mjedis në Komunën e Shtimes tha se investimet dhe mbikëqyrja e punimeve i takojnë agjencionit, ndërsa projekti për kompleksin memorial te shtatorja ka qenë i komunës.

Shfajësimi i Komunës

“Është një marrëveshje interne mes komunës dhe Agjencionit për Komplekse Memorialë që komuna të hartojë projektin ideor për aq sa ka mjete agjencioni, ndërsa realizimin e punimeve ta bëjë vetë agjencioni”, tha Salihu.

Komuna kishte kontraktuar Zyrën Projektuese “Vizion Project” me pronar Shkëlqim Osmanin nga marsi i vitit 2016 deri në muajin mars të vitit 2017, për të krijuar planin e ndërtimit të kompleksit rreth shtatores së William Walker-it. E ky plan është duke u zbatuar nga Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.
Salihu e pranoi se punët nuk janë kryer si duhet.

“Vërehen disa te pjesa e rregullimit të mureve të vrazhda, te pjesa e pllakëzimit, janë ato probleme që janë paraqitur kryesisht nga banorët. Por edhe nga ana e komunës që kemi identifikuar”, tha Salihu.

Kryeshefi i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale (AMKM), Idriz Blakaj tha për KALLXO.com se projekti për ndërtimin e kompleksit të shtatores së William Walker-it është punuar nga Komuna e Shtimes. Thotë se deri më tani është finalizuar vetëm një pjesë e punëve të parapara në projekt, pasi ata janë obliguar të ndajnë në dy pjesë projektin për shkak të mungesës së mjeteve. Ndarja ne dysh e projektit, sipas tij, është arsyeja e ankesave të qytetarëve se gjoja nuk janë kryer punët siç ishte planifikuar.

“Nuk ka kualitet të dobët, por është një pjesë që nuk është përfundu, për atë arsye doket, p.sh. muri që është i përfundum, duket që nuk është i punuar mirë, sepse ai ka me u vesh me granit. Plus është komplet ndriçimi”, tha Blakaj.

Tha se shumë shpejt do të shpallet tenderi i dytë.

“Ne jemi tu e prit paramasën prej komunës edhe saktësisht ta dimë cila është kostoja, ta shpallim tenderin edhe ta kryejmë”, tha kryeshefi i agjencionit Blakaj.

Mehdi Salihu, drejtori për Planifikim Urban në Shtime, tha se shumë shpejt do të përfundojë projektin për t’i hapur rrugë hapjes së tenderit nga agjencioni.

Ndërkaq, pronari i kompanisë “Ardhmëria”, Dashnim Jashari tha për KALLXO.com, se ankesat për kualitet të punimeve janë vetëm çështje xhelozie. Sipas tij, punimet e përfunduara deri tani janë edhe me garancion.

Jashari dha një shpjegim edhe për ankesën e qytetarëve se shkallët janë të rrëshqitshme.

“Graniti është ashtu që ishte i parapamë ai granit”, tha Jashari, pronari i kompanisë “Ardhmëria”.

Punimet rreth këtij kompleksi kanë filluar në shtator të vitit 2016 dhe priten të përfundohen në shtator të vitit 2017. Për fazën e parë të këtij projekti janë shpenzuar 70 mijë euro për infrastrukturë, duke përfshirë bazamentin e shtatores me hapësirën përreth dhe rreth 98 mijë të tjera për ndërtimin e statujës.

Adnan Elshani, mbikëqyrës i punimeve në Reçak tha se ka qenë vetëm një problem me një shkallë, i cili është përmirësuar menjëherë. Kurse, përzgjedhjen e materialit dhe caktimin e çmimeve, sipas tij, e ka kryer kompania e kontraktuar nga Komuna e Shtimes.

Punët e papërfunduara

“Lloji i granitit është qasi tipik çfarë e sheh paramsa me atë projekt. Paramasa është ajo parallogaritje e cila e parasheh se çfarë lloji graniti, llojin e materialit edhe çmimin e materialit. Llojin e materialit e ka bo projektanti, kompania e cila ka qenë e kontraktuar prej komunës”, sqaron mbikëqyrësi.

Elshani tha se do të investohen edhe 124 mijë euro në këtë memorial.

Ndërkohë, drejtori Mehdi Salihu shtoi se ankesat për punime, bashkë me banorët i kanë adresuar në zyrat e Agjencionit për Menaxhim të Komplekseve Memoriale sepse sipas tij, komuna nuk ka asnjë kompetencë.

“Shihet që ka defekte, të cilat ne jemi munduar me i përcjellë, bile më kujtohet edhe që ka dy vizita bashkë me banorët e fshatit Reçak me kërkesën e tyre që ia kemi bo direkt agjencionit në zyrat e tyne”, shtoi Salihu.

Deklaratën e Komunës së Shtimes, se nuk kanë kompetenca mbi kompleksin e ndërtuar së fundmi në Reçak, kryeshefi i agjencionit Idriz Blakaj e mohon duke thënë se edhe komuna është përgjegjëse deri në përfundim të projektit.

“Po qysh nuk ka kompetenca projektuesi, derisa projektuesi është kompetent derisa të kryhet projekti, s’mundet me thonë s’kena kompetencë. Edhe pse nuk dojmë na me gjujtë se fjalët e fshatarëve që e kanë thonë ata munden me pasë të drejtë tu e marrë parasysh që s’është përfundu projekti, e kur të përfundon projekti atëherë mund t’i japin vërejtjet”, tha Blakaj për KALLXO.com.

Pra, kur jemi tek lufta për kompetenca rezulton se komuna është përgjegjëse vetëm për punimin e projektit, ndërsa agjencioni për ekzekutimin dhe menaxhimin e punimeve.

Blakaj më tej tregoi se agjencioni nuk posedon arkitekt, i cili do të duhej të mbikëqyrte punimet në mënyrë që të mos ketë probleme të tilla.

“S’kem, se kem kërku që tri vjet rresht prej që është themelu, s’kem as arkitekt as ndërtimtar, nuk lejojnë buxhet, bile për vitin 2017 patën premtu që do t’ia lejojmë buxhetin por prapë se lejun”, tha Blakaj.

Kurse, trashësia e granitit është problemi më i vogël, sipas të parit të këtij agjencioni, sepse sipas tij, graniti do të ngjitet në beton.

“Për mu ka qenë e paarsyeshme edhe pse është paraparë në projekt, masi s’ka qenë dhe është kompenzu. Nuk ka rrezik mu thy nëse është kualiteti që parashihet pse ka nevojë me qenë katër centimetra. Ai ka mu ngjit për betoni, kështu që nuk ka asnjë telashe vetëm në qoftë se betoni s’është i punum mirë dëmtohet”, shtoi drejtori i Agjencionit për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale.

Ndërkohë, drejtorit të kësaj agjencie, duket se më shumë i pengojnë ankuesit sesa puna e papërfunduar në mënyrën e duhur. Ai thotë se qytetarët nuk mund të kenë kompetencë për të folur për cilësinë e punimeve dhe të materialit të përdorur.

Kanë qenë disa gabime fillimisht që është dasht, aty ka qenë një pjesë e murit që është rrënu, e kemi detyru me rrënu se nuk e ka bo mirë, edhe është detyru me bo përsëri, por që kanë qenë këtu në zyre në agjencion s’kanë qenë kurrë”, shtoi më tej drejtori i agjencionit.

Pronari i kompanisë që është duke i kryer punimet, Dashnim Jashari shtoi se gjithçka do të mbulohet përmes fazave tjera të punimeve sepse në kontratën e tyre nuk kanë qenë më shumë punë, se që janë bërë.

E në fazën e dytë janë paraparë ndriçimi dhe veshja e murit me granit ose me gurë natyral, kështu tha Idriz Blakaj, nga AMKM.

Shtatorja e Walker-it ishte përuruar vitin e kaluar, një ditë para përvjetorit të masakrës së Reçakut.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme