Pse shqiptarët mbetën vetëm me një deputet në Kuvendin e Serbisë

Prishtinë | 04 Pri 2022 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Shaip Kamberi do të jetë deputet i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë.

Këtë e ka konfirmuar vetë ai për Klankosova.tv me ç’rast shtoi se ka arritur që t’i marr 11 mijë vota në zgjedhjet e 3 prillit.

“Po unë jam zgjedhur deputet. Me 90 për qind të votave të numëruara e kemi një mandate. Kam marrë 11 mijë vota”.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbi, Koalicioni i Shqiptarëve për Luginën, deri më tani ka arritur t’i marrë 9 mijë e 627 vota apo 0.27 për qind të tyre.

Por, pse shqiptarët e Luginës nuk arritën të sigurojnë më shumë se një ulëse në parlamentin e Serbisë?

Lidhur me këtë për Klankosova.tv, ka folur Nexhat Behluli, redaktor në televizionin “Spektri” me seli në Bujanoc i cili tha se pritshmëria e shqiptarëve të Luginës për t’i pasur tre deputetë nuk u realizua për shkak se sipas tij liderët shqiptarë atje nuk arritën të unifikoheshin.

“Subjektet politike të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dolën totalisht të dështuar nga këto zgjedhje dhe kjo ishte e pritshme sepse për shkak inateve kush me qenë bartës i Listës dhe rivalitetit tyre nuk u unifikuan në një listë, prandaj popullata i ndëshkoi, nuk ju përgjigje ftesës për të votuar”.

Behluli deklaroi se ky rezultat është ndëshkim për liderët e Luginës nga popullata shqiptare.

“Popullata shqiptare e Luginës i ndëshkoi liderët e vet politik me bojkot të zgjedhjeve jo vetëm pse ata janë të përçarë, por edhe pse janë të njëjtit shume gjatë në skenën politike të Luginës ku gjithnjë e me keq jetohet pa asnjë perspektivë, numri i rënies së popullsisë ne Luginë është si kurrë më parë ndërsa udhëheqësit e tyre mbesin të njëjtit në tri dekadat e fundit”.

Gazetari nga Bujanoci thekson se popullata e Luginës po jeton çdo ditë keq e më keq.

“ Shaip Kamberi është njëri nga liderët politik kryesori gjatë 25 vjetëve të fundit në Luginën e Preshevës, dy mandate ka qene kryetar i komunës se Bujanocit dhe dy herë deputet popullor në parlamentin serb, ndërkohë në praktikë shqiptarët e Luginës jetojnë me keq se kurrë ndërsa numri i popullatës prej vitit 2002 deri sot 2022 është përgjysmuar”.

“Çdo i ri i Luginës është në pritje të një vize pune për të migruar. Këtu në Luginë çdo e dyta shtëpi është e mbyllur dhe nuk jeton askush, shkollat po mbyllen në mungesë të nxënësve ndërsa bizneset private veprimtaritë e vet po i mbyllin për shkak të mungesës së punëtorëve”.

“Shaip Kamberi është i këndshëm për t’ia dëgjuar diskutimet në Parlamentin e Serbisë me përmbajtje kombëtare dhe patriotike, por pjesëmarrja e tij aq gjatë në parlamentin serb kurrë asnjëherë asnjë amendament nuk i kaluar, kurrë asnjë ndryshim te ligjit, kurrë asnjë përfitim apo subvencion nuk i ka sjelle shqiptarëve të Luginës”.

“Ai në Parlamentin e Serbisë përveç zhurmës se herë pas hershme, vetë ekspozimit personal, pagës së madhe dhe privilegjeve te qenit deputet, kurrë asnjë të mirë tjetër konkrete askujt ne Lugine nuk i ka sjellë, nëse duhet të qëndrojë deputet në parlamentin serb vetëm për zhurmë atëherë urime i qoftë edhe mandati i tretë me radhë”.

Serbia të dielën votoi në zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare. Shumica e shqiptarëve të Luginës votuan vetëm në zgjedhjet për legjislaturë të re.

Të ngjashme