Psikologia Sadiku: Neglizhimi i nevojave psikologjike, pas pandemisë mund të shkaktojë pasoja afatgjata

Prishtinë | 18 Pri 2020 | 08:27 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Krahas kujdesit për tu mbrojtur nga Coronavirusi qytetarët duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë edhe shëndetit mental gjatë kohës sa janë në izolim.  Kështu porosisin psikologët.

Ekspertët e kësaj fushe këshillojnë qytetarët që në këtë kohë të përhapjes së pandemisë për ruajtje të qetësisë.

Psikologia Rrezarta Sadiku, në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se karshi kësaj pandemie është e rëndësishme që të gjithë qytetarët t’i kushtojnë rëndësi shëndetit mendor dhe të menaxhojnë situatën, e cila po shoqërohet me ankth dhe panik.

Ajo ka kritikuar institucionet për neglizhencë, sepse sipas saj  janë orientuar vetëm në pandeminë e Coronavirusit dhe kanë përjashtuar shëndetin mendor të qytetarëve në izolim.

“Ne e dimë që jemi duke kaluar një pandemi, e cila na ka ardhur në mënyrë të papritur dhe është duke lënë pasoja në aspektin emocional dhe në atë mental. Dhe karshi kësaj pandemie është e rëndësishme që ne t’i kushtojmë rëndësi edhe shëndetit mendor”, shtoi Sadiku.

Sadiku tha se ka një neglizhencë nga institucionet  e cila është orientuar vetëm në diagnostifikim dhe shërimin e pandemisë dhe e kanë përjashtuar ndikimin e izolimit në shëndetin mendor.  Ajo tha se qytetarët kanë nevojë për psikologë dhe vetëdijesim.

 “Ka një neglizhencë dhe është orientuar vetëm në diagnostifim dhe shërim të kësaj pjese duke përjashtuar këtë sferën që ndoshta duhet të bëjmë njëfarë vetëdijesimi, ose një far alarmi dhe ne profesionistë të shëndetit mendor të na kushtojnë rëndësi që të jemi më afër qytetarëve dhe më afër atyre që kanë nevojë, sepse ky izolim është duke shfaqur pasoja të mëdha në aspektin familjar , individual dhe shoqëror”, theksoi Sadiku.

Sadiku theksoi se nëse nuk menaxhohet mirë e sotmja do të ketë pasoja dhe mund të shkaktojë trauma në të ardhmen , të cilat mund të jenë afatgjate, kështu që është e rrezikshme karshi problematikës që mos ta harrohet edhe aspekti psikologjik, sepse mund të  preket sistemi imunitar.

“Çdo izolim ka pasoja nëse nuk menaxhohet e sotmja mirë, padyshim që edhe e ardhmja dhe pas largimit të pandemisë dhashtë zoti të kalojmë sa më shpejt këtë situatë, sepse nëse nuk menaxhohet mirë e sotmja do të ketë pasoja sepse shpeshherë traumat e fituara gjatë kësaj periudhe domosdoshmërish lënë pasoja kështu që është e rrezikshme karshi problematikës që mos ta harrojmë edhe aspektin psikologjik, sepse nëse nuk I kushtojmë rëndësi kësaj pjese padyshim do të preket sistemi jonë imunitar”, deklaroi Sadiku.

Ajo ka folur edhe për kujdesin që prindërit duhet të kenë për fëmijët gjatë kësaj periudhe. Sipas Sadikut, është e rëndësishme që çdo prind t’i përkushtohet  fëmijës së vet, duke e orientuar në aktivitete të ndryshme si lojëra e të tjera

 “Fëmija ndoshta është e vetmja problematikë dhe kisha dashur me zgju këtë çështje më thellë sepse fëmija afektohet shumë nga modelet dhe nga lajmet e ndryshme që krijohen brenda familjes dhe vazhdimisht kur kemi lajme negative si sëmundje dhe vdekje padyshim që fëmija do të afektohet nga këto lajme negative. Andaj sugjeroj çdo prind që fëmija sa më pak të ketë kontakt me televizionin sa më pak debate. Kështu që kemi mundësi t’i vetëdijesojmë fëmijët që është një pandemi që kërkon kujdes por jo çdo gjë me paraqit rrezik, sepse në aspektin profesional janë rritur problematika e ankthit te fëmijët” deklaroi Sadiku.

Sipas saj, nëse gjatë këtij procesi kemi kontakt me psikologun, atëherë pas pandemisë integrimi do të jetë më i lehtë  në aspektin social, familjar, emocional, ndërsa nëse neglizhohet kjo dhe qytetarët  mbyllen  atëherë kjo mund të shkaktojë pasoja afatgjate dhe do të duhet trajtim më i thellë.

 “Edhe pa pandemi është e nevojshme të kemi kontakt me psikologun, por pas kësaj situate është e nevojshme që edhe gjatë këtij procesi të kemi kontakt me psikologun. Mirëpo nëse gjatë këtij procesi kemi kontakt me psikologun, atëherë pas pandemisë do të integrohemi shumë më lehtë në social, familjar, emocional”.

“Nëse ne e neglizhojmë dhe mbyllemi atëherë kjo mund të shkaktojë pasoja afatgjate dhe meriton trajtim pak më të thellë. Andaj karshi problematikës që është duke ndodhur duhet kushtuar rëndësi sferës psikologjike sepse është e domosdoshme”, tha Sadiku.

Të ngjashme