Psikologu: Rritja e çmimeve rikthen traumat e luftës të cilat akoma nuk janë shëruar

Prishtinë | 09 Mar 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Sulmet e Rusisë në Ukrainë, gjegjësisht diskutimet e herëpashershme në shoqërinë tonë për një luftë të mundshme në veri të vendit, kanë ngjallur frikë dhe pasiguri tek qytetarët.

Por përveç frikës, së luftës, sikur most ë mjaftonte kjo qytetarët janë duke u ballafaquar me rritje enorme të çmimeve, të cilat dita ditës po ‘fluturojnë’.

Krejt këto sipas psikologut Yll Avdijaj padyshim se po reflektojnë në aspektin psiko-emocional.

“Ngjarjet e fundit si lufta në Ukrainë dhe shtrenjtimit e produkteve sigurisht qe janë alarmante për shoqërinë tonë kosovare. Në rastet kur rrezikohet sigurimi i ekzistencës dhe jeta e individit, padyshim se kjo ka mundësi që të reflektohet në aspektin psiko-emocional si përjetim i frikës, panikut dhe pasiguri në masën qytetare. Mund të ndodhë panik e ngjashme ashtu siç ndodhi në fillimet e pandemisë të virusit Covid-19”,tha Avdijaj.

Ndërkohë, pritja në radhë e shumë qytetarëve për një komplet vaj, 100 kilogramë miell, e sheqer apo edhe naftë, që të arrijnë t’i sigurojnë me një çmim më të ‘arsyeshëm’ sot, sepse nesër mund të dyfishohet ky çmim, sipas psikologut Avdijaj po afekton në ritraumatizmin dhe rihapjen e plagëve e luftës të cilat ende nuk janë shëruar.

“Këto situata alarmante si lufta, në njëfarë mënyre po afektojnë sidomos rastet me përvoja traumatike të përjetuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, gjë që po afekton në ri-traumatizim dhe rihapje të plagëve të cilat akoma nuk janë shëruar. Ndërsa në anën tjetër, shtrenjtimet e produkteve dhe mos rritja e pagave për qytetarin i cili nuk ka të ardhura të larta ekonomike, padyshim se e rritë shqetësimin e mbajtjes së familjes dhe mbijetesës”,tha Avdijaj.

Të ngjashme