Publikohen rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, kalueshmëria këtë vit rreth 70 për qind

Prishtinë | 05 Kor 2021 | 11:50 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka publikuar rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës, të cilit i janë nënshtruar mbi 23 mijë nxënës të klasave të dymbëdhjeta në gjithë vendin.

“Këtë vit, rezultati i përgjithshëm i kalueshmërisë është 68.43 për qind. Prej këtij rezultati, 68.36 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën shqipe, 69.47 për qind në mësimin në gjuhën boshnjake dhe 74.77 për qind është kalueshmëria në mësimin në gjuhën turke”, thuhet në njoftimin e MASHTI-t.

Rezultatet e Provimit Shtetëror të Maturës tashmë janë shpërndarë në shkolla.

Provimi i mbajtur më 26 qershor, është organizuar në tri gjuhë: shqipe, boshnjake dhe turke dhe është mbajtur në 177 qendra të testimit.

“Në këtë proces kanë qenë të angazhuar mbi 2 mijë administrues, 550 komisionerë, 360 mbikëqyrës dhe 200 vëzhgues. Po ashtu, të gjitha Qendrat e testimit janë monitoruar nga Këshilli Rinor Kosovar (KYC). Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se për shkak të përdorimit të telefonit, nga provimi janë larguar gjithsej 69 nxënës, të cilëve u është anuluar testi”, thuhet në njoftim.

MAShTI gjithashtu është duke i vlerësuar raportet e komisioneve në Qendrat e testimit dhe së shpejti do të publikohen emrat e administruesve të cilët nuk kanë realizuar detyrën më përgjegjësi dhe ndaj të njëjtëve do të merren masa ligjore.

MAShTI falënderon të gjithë të përfshirët në procesin e mbajtjes së Provimit Shtetëror të Maturës për kontributin dhe bashkëpunimin e tyre.

Të ngjashme