Publikohet raporti i monitorimit të qendrave korrektuese, përmban shkelje të të drejtave të njeriut

Prishtinë | 27 Shk 2018 | 11:24 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka publikuar raportin për monitorimin e qendrave të ndalimit, qendrave të paraburgimit dhe qendrave korrektuese për vitin 2017. Theks i veçantë i monitorimit janë identifikimi i të gjeturave dhe rekomandimeve, raporton Ekonomia Online.

Sipas raportit ankesa ka pasur se ka korrupsion, nepotizëm, diskriminim dhe standarde të dyfishta në aplikimin e regjimit të avancuar por edhe të privilegjeve. Në raport theksohet edhe mungesa e informimit si e drejtë themelore. Ky mbetet problem i trashëguar që nga viti i kaluar.

Behxhet Shala, drejtor i KMDLNj-së tha se qëllimi i këtij raporti është përmirësimi i kushteve për të privuarit nga liria dhe stafin korrektues.

“Kemi realizuar vizita një vjeçare. Raporti ka gjëra që nuk pajtohen shërbimi korrektues dhe ministria e drejtësisë. Qëllimi i raportit është që të u ndihmohet në respektimin e të drejtave të të burgosurve dhe stafit. Nuk mund të kemi vërejtje në transparencën e treguar nga shërbimi korrektues. Ky shërbim krahasuar me vendet e rajonit është shumë më mirë. Shërbimi ende nuk e ka pavarësinë e plotë, ka ndërhyrje të ndërkombtarëve dhe politikës”, tha Shala.

Ushtruesi i detyrës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj, ka kërkuar nga KMDLNj-ja që të monitorohet shërbimi.

“Bashkëpunimi me Behxhetin ka qenë korrekt dhe profesional. Jam mirënjohes për punën tuaj. Kërkoj nga Behxheti që të monitorojnë sherbimin korrektues dhe t’i ndihmojnë”, tha Zogaj.

Ndërsa Feride Rushiti nga qendra kosovare për rehabilitimin e të mbijetuarve nga dhuna, tha se pavarësisht ndryshimeve pozitive nëpër qendra korrektuese, ka ende vend për përmirësimin e kushteve.

“Shërbimet korrektuese kanë pësuar ndryshim pozitiv. Ka hapësirë ende për tu bërë. Ne mendojmë që në çdo vend ku personat janë të privuar nga liria hapësira për shkelje ekziston”, tha Rushiti.

Kurse përpiluesja tjetër e raportit, Valentina Demolli, tha se janë angazhuar për të gjetur elementet më të ndishme dhe se ky raport të ndikojë në përmirësimin e kushteve për stafin korrektues.

“Kemi shku më thellë në gjetjen e elementeve më interesante dhe më të ndishme. Ka disa pika trajtimi i personave të privuar nga liria. Duam qe pas këtij raporti të vëmë theks në përmirësimin e kushteve për stafin korrektues. Pjesë e rëndësishme është buxheti. Për vitin 2017 ka qenë 16 mijë e 660 euro. Krahasuar me vitin 2016 kemi rritje buxheti prej 1 milion euro. Sa i përket përmirësimit të kushteve të stafit nuk ka pasur shtyrje pozitive. Në të gjitha burgjet e Kosovës kanë qenë 50 shtetas të huaj. Numri i të privuarve nga liria gjatë vitit 2017 në Kosovë ishte 2730. Prej tyre 192 janë minoritete: serbë 100, ashkalinj 7, romë 33, boshnjak dhe 18 turq ndërsa të tjerët nuk janë deklaruar. Ka pasur disa ankesa për sjellje jo të mira, kanë qenë raste të mbylluara, më shumë fyerje verbale nga ana e stafit. Nga presidenti janë falur 17 persona. Në vitin 2017 janë bërë dy kurorzime. Qendra në Mitrovicën veriore mbahet shumë mirë. Qendra në Prizren njihet ende si qendra më problematike”, tha Demolli.

Disa nga rekomandimet e hartuara në raport janë që të hetohen rastet kur dyshohet se ka pasur tejkalim të autorizimeve zyrtare, përdorim të forcës dhe të ndërmerren masa ndaj oficerëve korrektues, të përmirësohen kushtet fizike në lokacionet ku janë të vendosur të burgosuri dhe të bëhet ajrosja e dhomave.

Rekomandohet që të ndërpritet ndarja e të dënuarve/të paraburgosurve në baza etnike, të rritet buxheti për shërbimin korrektues, stafi korrektues të ketë sigurime shëndetësore, të përmirësohen kushtet kushtet e punës për oficerët korrektues dhe stafin civil. Gjithashtu është kërkuar që të rritet buxheti për shërbimet korrektuese.

Projekti është përkrahur nga KFOS dhe është vazhdimësi e një monitorimi shumëvjeçarë të këtyre institucioneve.

Të ngjashme