“Punësimet të bëhen në baza profesionale, e jo me lidhje politike e familjare”

Prishtinë | 18 Tet 2016 | 11:46 | Nga

Marrëveshja e mirëkuptimit e nënshkruar me 15 gusht të këtij viti në mes Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell kryeministrit Isa Mustafa dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli pritet të implementimet në fund të këtij muaji.

Kështu ka deklaruar vetë iniciuesi i kësaj marrëveshjeje, Ambasadori O’Connell në një intervistë për emisionin “Ekonomia me Erëzën” të transmetuar në KTV.

O’Connell theksoi se kompania ndërkombëtare vetëm do t’i propozojë emra ekzekutivit, kurse fjalën e fundit do ta thonë Qeveria e Kuvendi.

Marrëveshja parasheh angazhimin e një kompanie ndërkombëtare për të bërë përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve në ndërmarrje publike dhe në agjenci të pavarura.

“Ne jemi pajtuar me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës që kompania do të dorëzojë një listë të shkurtër të emrave. Por, strukturat e Kosovës duhet të vendosin vetë për emërimin e tyre ose jo. Ka kaluar koha kur ndërkombëtarët duhet të zgjedhin për Kosovën”, deklaroi O’Connell, transmeton Koha.net.

Ambasadori në emision ka pohuar hapur se nepotizmi dhe emërimet politike janë fenomene që po mbizotërojnë, duke shtuar se ka ardhur koha që të shohim njerëz profesionalë në këto pozita.

“Nuk do të trajtomë çdo punësim, por marrëveshja i ofron mundësi Qeverisë dhe Kuvendit për të treguar që kultura duhet ndryshuar. Shpresoj që ky projekt me këto 20 vende të punës, mund të jetë një fillim i ri. Ka ardhur koha që të shohim se njerëzit do të punësohen në baza profesionale, e jo me lidhje politike e familjare”, pohoi ambasadori.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme