Punëtorët e KEDS-it paralajmërojnë grevë të përgjithshme gjatë javës së ardhshme

Prishtinë | 11 Sht 2018 | 13:41 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

E plotësuar:

Pas pritjes para Kuvendit të Kosovës, punëtorët e KEDS-it janë drejtuar nga Teatri Kombëtar për të mbajtur konferencën e paralajmëruar.

Kryetari i Sindikatave të Bashkuara, Avni Ajdini, ka shpalosur edhe një herë kërkesat e punëtorëve të KEDS-it, raporton Ekonomia Online.

“Paga të dinjitetshme, zbatimi i marrëveshjes kolektive, 0.5% të paguhet, nivelizimi i pagave të bëhet”.

“Pa qenë të gjithë së bashku nuk mund të ecim përpara”.

“Nëse ky mesazh nuk ec, atëherë do marrim hapin tjetër”, tha Ajdini para të pranishmëve.

Kurse, kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka bërë të ditur se edhe SBAShK-u e mbështet grevën e punëtorëve të KEDS-it.

“Kërkojmë plotësim, në të kundërt edhe arsimi do të shkojë në grevë të përgjithshme”.

Hysni Gashi ka thënë se besojnë se të hënën do të ketë lëvizje nga ana e institucioneve.

Ai ka njoftuar për grevën e përgjithshme, për të cilën ka thënë se, sipas të gjitha gjasave, do të jetë në fundin e javës së ardhshme, raporton EO.

Kryetari i Këshillit Grevist ka kërkuar që në afat rekord, në Qeveri dhe Kuvend të aprovohet buxheti i lejuar për KEDS-in nga ZRrE.

Ai i ka pyetur protestuesit nëse janë të gatshëm për protestën tjetër dhe ata njëzëri i janë përgjigjur pozitivisht.

Punëtorët e KEDS-it vazhdojnë protestën, presin para Kuvendit të dalë ndonjë deputet të flasë me ta

Punëtorët e KEDS-it, pas takimit me menaxhmentin dhe mosarritjes së ndonjë marrëveshjeje me ta, e kanë vazhduar protestën e tyre duke marshuar nga ndërtesa e KEDS-it, drejt sheshit “Skënderbeu”, për t’u ndalur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Ata janë shprehur të vendosur të vazhdojnë me protesta e greva deri në plotësimin e kërkesave për rritje pagash dhe zbatim të kontratës kolektive.

Madje, kanë kërcënuar se do të ketë edhe kolaps energjetik, nëse nuk rriten pagat e tyre, raporton Ekonomia Online.

Gjatë rrugës ata u ndalën para Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, ku i bënë thirrje ministrit Lluka që ta bëjë publike kontratën e privatizimit të kompanisë KEDS.

“Këtu janë ata të cilët e menaxhojnë kompaninë KEDS. Ministrin aktual po e pyesim, ta publikojë kontratën e privatizimit. Neve na intereson me ditë kush është pronari ynë”.

Ata ndaluan para Qeverisë, ku mbajtën konferencën e dytë për media për sot.

Ata i bënë thirrje kryeministrit Haradinaj që ta dëgjojë zërin e tyre, raporton EO.

“E lusim kryeministrin ta dëgjojë këtë zë dhe të rrisë pagat, që në këtë mënyrë sektori privat të trajtohet barabartë”.

Ndërsa, destinacioni i fundit për ta ishte Kuvendi i Kosovës.

Fehmi Pajaziti kërkoi që të futet një delegacion brenda Kuvendit që të bisedohet për çështjen e punëtorëve të KEDS-it.

Ndërkaq, ata kërkuan nga deputetët që të gjejnë zgjidhje.

“I pyesim deputetët tanë: A do kërkoni votat tona prapë?”

“I bëjmë thirrje ZRrE-së që të ketë parasysh të hyrat e lejuara dhe shpenzimet për pagat e punëtorëve”.

“Nuk po kërkojmë asgjë që nuk është e pamundur. Të kenë parasysh që të heqin pikën për efikasitetin, sepse është e papranueshme për ne”.

“Mos ta aplikojë faktorin e efikasitetit, por ta zbresë atë në zero”.

Punëtorët kanë këmbëngulur që të presin përpara Kuvendit, derisa ndonjë deputet të dalë të flasë me ta.

Lexo më shumë:

Të ngjashme