Punëtorët e minierës “Goleshi” protestojnë para Qeverisë së Kosovës

Prishtinë | 04 Shk 2022 | 12:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët e Minierës së Magnezit “MIM Goleshi” kanë protestuar para Qeverisë së Kosovës për shkak të largimit nga vendi i punës.

Një nga punonjëset e larguara të kësaj miniere, Bukurie Kastrati, për Ekonomia Online tha se që nga nata e Vitit të Ri janë në grevë.

“Prej natës së Vitit të Ri deri më sot kemi qenë në grevë. Dje na kanë largu Policia me dhunë. Ne do të presim para Qeverisë deri të marrim një përgjigje”, tha Kastrati.

Sejdi Hasi, një tjetër punonjës i larguar me vendim të AKP-së, i tha Ekonomia Online se kryeministri Kurti u kishte premtuar se punëtorët nuk do të dëmtoheshin nga vendimet për AKP-në.

Mirëpo sipas tij në kohën më të vështirë janë larguar nga vendi i punës

“Na jemi në grevë sot e 35 ditë. AKP e ka marr një vendim që nuk është dashur të merret assesi në këtë periudhë. Kryeministri, para zgjedhjeve, gjatë zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve, ka thënë se punëtorët nuk do të dëmtohen nga vendimet që do t’i marrë për AKP-në” .

“Sot ndodhi ajo që ne si punëtorë më së paku e kemi pritë. Janë pikërisht punëtorët që kanë pësuar të parët. Kryeministri vetë ka thënë se AKP është organizatë kriminale ekonomike. Pikërisht këta njerëz sot i kanë largu punëtorët nga vendi i punës”.

“Qeveria dhe shteti i Kosovës duhet të merren më seriozisht me punëtorët, jo vetëm të ‘Goleshit’, por të gjithë të tjerët”, tha Sejda.

“MIM Goleshi” – Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit që nga paslufta është jashtë funksionit.

Punëtorët e larguar, deri më tash, janë përkujdesur për mirëmbajtjen e makinerisë e monitorimin e 267 hektarëve vend që zë kjo ndërmarrje.

Nga 41 punëtorët, tashmë kanë mbetur vetëm 18, shumica roje.

AKP-ja kishte fituar kontestin 18-milionësh në Arbitrazh për “MIM Goleshi”

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AK), në shtator 2021, kishte njoftuar se ka fituar kontestin gjyqësor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit, pas padisë së parashtruar, më datën 1 prill 2019, për kompensim dëmi dhe fitim të humbur në vlerë prej 18,121,690.17 milion Euro nga pala paditëse IMING d.o.o Strobec – Republika e Kroacisë.

AKP ishte paditur në cilësi të administratorit të ndërmarrjes shoqërore “MIM Goleshi” Miniera e Magnezit në Golesh të Lipjanit. Kontesti gjyqësor është zhvilluar sipas rregullave të UNICITRAL-it të vitit 2010.

Pas një procesi të gjatë gjyqësor, AKP kishte pranuar më 10 shator 2021, vendimin e Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

“Mbrojtja ligjore e Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka sjellë fitore në këtë kontest. Veç mbrojtjes së interesit të Republikës së Kosovës, me këtë fitore janë ruajtur edhe fondet publike prej 18,121,690.17 milion Euro”, thuhet në komunikatën e AKP-së.

Sipas vendimit të Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit pala paditëse, për më tepër, obligohet që në emër të shpenzimeve procedurale të Tribunalit t’ia paguaj Agjencisë Kosovare të Privatizimit shumën prej 342,954.67 mije eurosh.

Të ngjashme