Punëtorët e Postës sot s’punuan një orë, paralajmërojnë grevë tërëditore

Prishtinë | 06 Kor 2018 | 13:52 | Nga Enea Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët e Postës kanë mbajtur grevë një orëshe. Greva ka filluar në orën 13 dhe ka zgjatur deri në orën 14.

Gjatë kësaj kohe janë mbyllur të gjitha zyrat postare në Kosovë, duke u pamundësuar qytetarëve të marrjen e shërbimeve gjatë grevës, raporton Ekonomia Online.

Greva është organizuar për shkak se punëtorët e Postës ende nuk i kanë marrë pagat si pasojë e mosrealizimit të obligimeve të Qeverisë dhe institucioneve të tjera ndaj Postës së Kosovës.

Etrit Hoti, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Postës së Kosovës, tha se greva e sotme ka qëllim sensibilizimin e institucioneve përgjegjëse për ta tejkaluar krizën financiare në këtë ndërmarrje.

Ai ka paralajmëruar se të hënën më 9 korrik do të jenë në grevë të përgjithshme duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 21 në mbrëmje.

“Nuk mund të ketë stabilitet për punonjësit pa mbulimin e shërbimit Universal Postar, pa aprovimin e strategjisë së Postës e cila është dërguar për aprovim në Qeveri si dhe pa ndalimin e favorizimit të operatorëve privat nga institucionet shtetërore”.

“Bëjmë me dije se të hënën më 9 korrik do të jemi në grevë të përgjithshme duke filluar nga ora 8 e mëngjesit deri në ora 21 në mbrëmje”.

Hoti u kërkoi falje qytetarëve për mos-shërbimin gjatë grevës, për shkak të problemeve qe u janë krijuar pa dëshirën e tyre.

Mursel Krasniqi, kontrollor i zyrës postare, tha se arsyeja e grevës është vonimi i pagave dhe mosplotësimi i kërkesave nga institucionet.

“Jemi të shqetësuar për vonesën e pagave dhe në tri vitet e fundit vetëm dy herë kemi zbritje pagash. Nuk po i marrim me kohë për shkak se institucionet e Kosovës nuk po e përkrahin Postën e Kosovës sipas kërkesave që i ka”.

Krasniqi tha se Posta do të jetë në përkrahje të Sindikatës deri në arritjen e qëllimeve të tyre.

Kërkesat e Sindikatës së Postës së Kosovës janë:
  • Pagesa e menjëhershme e mjeteve financiare nga Qeveria e Kosovës, si obligim ligjor, për humbjet në Shërbimin Universal Postar.
  • Implementimi i strategjisë së dërguar nga Posta e Kosovës në Qeveri, e cila garanton stabilitet afatgjatë financiar për ndërmarrjen tonë.
  • Të ndalohet favorizimi i operatorëve privatë për faktin se shërbimet e njëjta Qeveria mund t’i kryej me ndërmarrjen e vet, Postën e Kosovës, me kualitet më të lartë e me kosto më të ultë.

Të ngjashme