Punëtorët protestojnë me monton “Qeveri boll mo! Zbato ligjet”

Prishtinë | 01 Maj 2018 | 11:48 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me moton “Qeveri boll mo! Zbato ligjet”, nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSKP), punëtorët kanë protestuar duke kërkuar kushte më të mira pune, raporton Ekonomia Online.

Protesta ka filluar tek Sheshi “Zahir Pajaziti” duke vazhduar drejt ndërtesës së Qeverisë me pankarta në duar, me mesazhe “Për shoqëri të lirë dhe të barabartë” si dhe “Qeveri boll mo! Zbato ligjet”.

Kryetar i BSPK-së, Avni Ajdini, tha se paga minimale 250 euro është e drejtë elementare, duke kërkuar edhe për respektimin e orarit e sigurime shëndetësore.

Madje ai ka paralajmëruar se do të merren masa nëse Qeveria nuk respekton kërkesat e tyre.

“Kjo ditë është arritur me gjak kur punëtorët kanë kërkuar të drejtat e veta. Punëtorët kanë luftuar duke i thënë stop skllavërimit ne sot i themi boll qeverisë. Ne jemi sot unik. Mesazhi është që të zbatohet ligji, të ngritët paga minimale në 250, të njihet përvoja e punës për vitet e 90-ta”.

“Paguheni për 8 ore e punoni 12 ore. Nëse nuk i kërkojmë të drejtat tona nuk do të realizohen. Nuk ka askund në botë që 75 euro merret një pension. Kjo vjen për arsye që nuk kemi kërkuar të drejtat tona”.

“Kjo nuk do të jetë protesta e vetme. Nëse nuk realizohen kërkesat tona nuk do ta presim 1 majin për protesta më masive. Punëtorët e KEK-ut punojnë në kushte mizore dhe askush nuk përgjigjet”, tha ai.

Shukrie Regjepi nga rrjeti i gruas në BSPK tha se duhet të njihen edhe të drejtat e grave.

“150 vjet më parë gra dhe burra në Angli u bashkuan për të kërkuar të drejtat e tyre. Ne si gra kërkojmë barazi reale gjinore që do të thotë përfaqësim 50-50, paga të barabarta, kërkojmë barazi, kërkojmë që edhe grat të vendosen në pozita vendimmarrëse, kërkojmë që të ndalohen ngacmimet seksuale në vendin e punës”.

Naim Cervadiku kryetar i ndërmarrjes “Drenica” në Drenas tha se protesta sot nga punëtorë të sektorëve të ndryshëm po mbahet për shumë arsye.

“Dihet arsyeja e protestës, 1  maj gjithmonë e kemi festuar me kontribute e te mira por sot protestojmë për arsye të ndryshme e kushte jo të mira në punë. Sigurimi shëndetësorë e mos njohja e kontributit për punëtorët e viteve të 90-ta edhe për punëtorët privat janë disa nga shumë arsyet pse sot kemi dalë të protestojmë”, tha ai.

 

Të ngjashme