Punëtorët teknikë dhe të sigurimit fizik në shëndetësi në protestë njëorëshe, kërkojnë 300 euro shtesë

Prishtinë | 11 Sht 2020 | 13:04 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Punëtorët teknikë si dhe ata të sigurimit fizik të cilët punojnë në QKUK, në Spitalet Rajonale, në Qendrat e Mjekësisë Familjare dhe Ambulancat, kanë mbajtur protestë njëorëshe, duke kërkuar pagesë shtesë prej 300 euro, raporton Ekonomia Online.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, protestuesit janë vizituar nga kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi.

Sipas tij, protesta bëhet për shkak te moslistimit edhe të këtyre kategorive për marrjen pagës prej 300 euro nga shteti për rrezikshmërinë në punë nga pandemia.

“Përderisa OBSH-ja thërret që të kemi respekt për njëri-tjetrin në këtë kohë pandemie, qeveritarët tanë nuk e bënë këtë. Kemi dalë sot në nivel të Kosovës, në të gjitha Qendrat e Mjekësisë Familjare, Spitalet dhe Ambulantat, që të kërkojmë nga Qeveria që edhe ne të jemi pjesë përbërëse e listave. Këta punëtorë me të drejtë kërkojnë që të jenë në listën e stimulimit sikur mjekët, sepse ne si sindikatë e kemi argumentuar që punëtorët teknikë janë ndoshta më të rrezikuar sesa mjekët. Konsiderojmë se mjekët duhet të kenë pagë edhe më të lartë, por mjekët nuk futen në dhomë për ta vizituar pacientin pa hyrë punëtori teknik për ta pastruar ambientin”.

Azemi ka paralajmëruar se protesta e tyre mund të radikalizohet.

“Jemi në rrugë të mirë. Nuk e konsiderojmë të suksesshëm presionin për protesta, sepse është dashur të ulemi dhe të bisedojmë për kërkesat tona. Kemi takim me zëvendëskryeministrin që ka marrë për obligim që ta shtyjë përpara procesin. Para një ore kemi marrë një shkresë nga kryeministri Avdullah Hoti dhe Ministrja e Financave Hykmete Bajrami ku tregohet rruga se si duhet shkuar deri te përfitimi i këtyre mjeteve”.

“Dhashtë Zoti që institucionet mos të na fusin që të krijojmë kaos, sepse për shëndetin ne japim gjithçka, por edhe të tjerët duhet të japin për shëndetin tonë. Qeveria e Kosovës, përpos që duhet të na fusë në lista, duhet të na kërkojë falje për ndarjen e kësaj pjese të njerëzimit. Nuk është më e çmueshme jeta e një mjeku sesa jeta e një punëtori teknik. Nëse nuk shkojnë çështjet ashtu siç duhet pas dy javësh dite do të radikalizojmë masat”.

Të ngjashme