Qalaj-Haxhiut: Jeni vonuar shumë për të shkuar në Hagë

Prishtinë | 30 Mar 2022 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe anëtarë të Komisionit për Legjislacion, kanë bërë kërkesë që t’i takojmë të gjithë drejtuesit e UÇK-së të cilët po vazhdojnë të gjykohen në Hagë derisa deri tani kanë marrë përgjigje pozitive vetëm nga 5 persona, shkruan InLajmi.

Haxhiu së bashku me ekipin e saj sot do t’i takojnë Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin, derisa nesër do t’i takojnë Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn.

Por përgjigje pozitive për takim, Haxhiu nuk ka marrë nga ish-krerët e tjerë të UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Deputeti nga Partia Demokratike, Rashit Qalaj, tha se ministrja Haxhiu së bashku me zyrtarë të tjerë të LVV gjithmonë kanë pasur deklarata fyese ndaj liderëve të PDK-së, në theks të veçantë ndaj Thaçit e Veselit “Ministrja Haxhiu por edhe figura të tjera të LVV gjithmonë kanë pasur deklarata fyese ndaj liderëve të PDK, në theks të veçantë ndaj Thaçit e Veselit dhe kjo është arsyeja kryesore që unë besoj se ata nuk duan ta takojnë Haxhiun në Hagë”, tha Qalaj.

E sipas Qalajt, ministrja Haxhiu e ka për detyrë, gjegjësisht obligim që t’i vizitojë ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, sikurse edhe qytetarët e Kosovës.

I pyetur se a është vizita e Haxhiut në Hagë e vonuar, Qalaj ka dhënë këtë përgjigje.“Në këtë proces janë duke u shkelur të drejtat e njeriut, në fakt janë procese që realisht kanë dalë jashtë kornizave ligjore për trajtimin e personave që janë të akuzuar. Që nga fillimi për mua ky proces ka qenë mjaft i dështuar. E dini që është publikuar aktakuza në mënyrë shumë të dyshimtë dhe krejt procesi është diskutabil. Për mua, mirë që ka shkuar Haxhiu t’i vizitojë sepse tek e fundit më mirë vonë se hiq, por mendoj se është vizitë e vonuar”, tha ai.

Më tej për Gazetën InLajmi, Qalaj e ka komentuar edhe mos përmendjen e emrave të ish -krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë nga krerët e shtetit në seanca solemne të Kuvendit, derisa flisnin për sakrificat e atyre që luftuan për vendin tonë.“Kjo normalisht se ka ndodhur qëllimshëm dhe jo se kanë harruar. E kemi parë krejt edhe në disa seanca solemne kur u përmend lufta e UÇK-së as që është përmendur Thaçi, ai i cili në atë kohë e ka lexuar Deklaratën e Pavarësisë, as që është përmendur Jakup Krasniqi i cili në atë kohë ka qenë kryetar i Kuvendit të Kosovës. Pra, nuk i konsideroj se janë harresa mirëpo janë të qëllimshme dhe kjo tregon se po harrohen njerëzit që kanë kontribuar për lirinë e vendit”, tha më tej Qalaj. 

Të ngjashme