Qalaj: Ka përfunduar draftligji për pensionimin e parakohshëm të policëve

Prishtinë | 06 Jan 2020 | 11:14 | Nga Ekonomia Online

Draftligji për pensionimin e parakohshëm të policëve ka përfunduar dhe është dërguar në Ministrinë e Financave por, si pasojë e dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, ky proces është ndalur.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se nëse do të kalojë Ligji për pensionim të parakohshëm të policëve, atëherë do të rekrutojnë njerëz të rinj për t’i zëvendësuar ata që pensionohen.

Po ashtu, Qalaj ka thënë nuk kanë arritur të shtyjnë përpara edhe çështjen e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për policët, shkruan gazeta “Epoka e Re”.

“Sa i përket Ligjit për pensionim të parakohshëm, në fakt draftligji ka përfunduar dhe e kemi dërguar në Ministrinë e Financave por, si pasojë dorëheqjes së kryeministrit, procesi u ndal. Një nga sukseset e mëdha ka qenë edhe dërgimi në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri të dy gjeneratave, njëra që ka diplomuar dhe gjenerata e dytë që po vazhdon trajnimin. Kemi pasur gjeneratat më të mëdha për nga numri që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Mund të them lirisht se janë edhe gjeneratat më të përgatitura qoftë nga aspekti profesional dhe ai fizik. Besoj se diku nga muaji qershor në këtë vit do ta dërgojmë edhe gjeneratën tjetër, meqenëse i kemi vendet e zbrazura në Policinë e Kosovës që ta dërgojmë edhe gjeneratën e re. Nëse kemi fat që të kalojë Ligji për pensionim të parakohshëm normalisht do të rekrutojmë edhe njerëz të rinj për t’i zëvendësuar ata që pensionohen. Besoj se këto tri gjenerata do ta përmbushin nevojën e Policisë së Kosovës për kuadro të reja”, ka thënë Qalaj.

Rreth 1 000 pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë arritur moshën 55-vjeçare. Me këtë moshë këta policë do të mund të dilnin në pension po të miratohej Ligji për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme