Qarkullimi i trenit pa mbrojtëse në vendkalime në Ferizaj nxit reagime

Prishtinë | 05 Mar 2021 | 15:38 | Nga Ekonomia Online

Gjatë periudhës së fundit kohore Infrakos-i ka lëshuar një linjë hekurudhore për bartje të disa mallrave nga Shkupi për në Kosovë, ndërkohë qarkullimi i trenit në vendkalime të veturave në Ferizaj po paraqet rrezik derisa mungojnë barrierat (laurat) dhe shenjat sinjalizuese për qarkullim.

Qarkullimi i trenit në këtë regjion, më së shumti po vërehet gjatë orëve të mbrëmjes derisa në disa vendkalime nuk ka as ndriçim publik. Qytetarët më të rrezikuar po ndihen në qendër të qytetit, pikërisht në vendkalimin e automjeteve afër stacionit të Policisë.

Kjo çështje ka nxitur edhe reagimin e Komunës së Ferizajt me arsyetim se çdo qarkullim i trenit gjatë rehabilitimit të hekurudhës Fushë Kosovë-Hani i Elezit, është përgjegjësi e Infrakos-it.

Andaj edhe Komuna e Ferizajt ka kërkuar që ky institucion të krijoi siguri për qytetarët dhe të vendos barriera në vendkalimet e automjeteve gjatë qarkullimit me tren në territor të saj.

Bedri Imeri, qytetar nga Ferizaj, ka thënë se telashe më të mëdha po paraqet vendkalimi mbi hekurudhë te rrethi kryesor në brendësi të qytetit, andaj sipas tij, të gjithë banorët vazhdimisht po ndihen të rrezikuar gjatë qarkullimit të trenit.

Sipas tij, Komuna dhe niveli qendror janë përgjegjës nëse ndodh ndonjë fatkeqësi gjatë qarkullimit të trenit, prandaj të intervenohet me urgjencë për vendosjen e barrierave sa herë që qarkullon treni.

Koha gjatë ditës ka provuar të marrë një deklaratë nga zëdhënësi i Infrakos-it, Refet Çitaku, mirëpo ai nuk ka qenë i qasshëm, madje ai nuk është përgjigjur as në telefonin zyrtar të zyrës.

Ndërkaq, Arsim Aliu, zyrtar për komunikacion në sektorin për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt ka thënë se Infrakos-i ka përgjegjësi për mirëmbajtje dhe vendosje të barrierave në vendkalime, mirëpo sipas tij fatkeqësisht në Ferizaj janë larguar ato që nga nisja e projektit për rehabilitim të hekurudhës Fushë Kosovë – Hani i Elezit.

“Sipas informacioneve që i kemi marrë nga Infrakos-i, transporti hekurudhor për mallra nga Shkupi në Kosovë është duke u organizuar në mbrëmje, mirëpo vozitësi i tij në çdo vendkalim e ka për obligim të lëvizë me shpejtësi shumët të ngadalshme. Por sidoqoftë ata duhet të krijojnë siguri për qytetarët dhe vendosje të barrierave”, ka thënë Aliu.

Sipas tij, është edhe një tren tjetër i cili qarkullon në regjion të Ferizajt për nevoja të punimeve të Infrakos-it mbi hekurudha.

“Gjatë së premtes kemi qenë edhe fizikisht në Infrakos dhe kemi kërkuar siguri për qytetarët. Sai përket barrierave dhe ndriçimit në vendkalime, ato janë larguar nga Infrakos-i për shkak të punimeve në rehabilitim të hekurudhës, andaj është përgjegjësi e tyre”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, gjatë së premtes rreth kësaj çështje nëpërmjet një shkrese ka reaguar edhe organizata joqeveritare “Avonet” duke shpjeguar se disa herë e kanë ngritur zërin që Komuna dhe Infrakos-i duhet të jenë më syhapur ndaj kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.

Sipas kësaj OJQ-je, në të kaluarën përkundër numrit të madh të njerëzve të vdekur dhe të aksidentuar rëndë nga trenat, deri më tashti nuk është bërë asgjë konkrete për t’i parandaluar këto aksidente vdekjeprurëse dhe për të rritur nivelin e sigurisë përgjatë hekurudhave në Ferizaj, prandaj në asnjë mënyrë nuk ka të drejtë të kalon treni mbi hekurudhë pa u vendosur masat mbrojtëse të sigurisë dhe pa u realizuar projekti i rehabilitimit Fushë Kosovë- Hani i Elezit.

Ndërkaq, kujtojmë se në muajin shkurt të vitit 2018 është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 195.5 milion eurosh për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 të Kosovës.

Andaj pas modernizimit të hekurudhës nga Hani i Elezit deri në Fushë Kosovë komplet linja do të jetë e izoluar ndërkaq treni mund të qarkulloj me shpejtësi deri në 120 km/h.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme