Qelaj anulon pjesëmarrjen në konferencën rajonale, Kosova prezantohet me fusnotë

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 15:55 | Nga Ekonomia Online

Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, zëvendësministri Naim Qelaj,  ka anuluar pjesëmarrjen në Forumin Rajonal  “Promovimi dhe Implementimi i Konventës së Stambollit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi”, që do mbahet në Shkup, me 27 dhe 28 nëntor 2018, për arsye se organizatorët e këtij forumi, mbishkrimet e përfaqësuesve të Kosovës i ka vënë me fusnotë, dhe rezolutën 1244, duke anashkaluar mendimin e GJND-së dhe deklaratën e pavarësisë të Kosovës. Poshtë gjeni reagimin e Koordinatorit, zëvendësministrit Naim Qelaj.

“Më duhet të njoftoj se Unë nuk mund të prezantoj në konferencën Rajonale që mbahet në Shkup pa emërtimin e plotë të institucionit që përfaqësoj dhe pozitës që mbaj.

Me keqardhje ju njoftoj se më duhet ta anuloj konfirmimin tim për pjesëmarrje. Kjo për derisa nuk trajtohemi të barabartë me të tjerët.

Pres nga organizatorët të veprojnë dhe të na mundësojnë pjesëmarrjen  tonë me evitimin e fusnotës ose të shënohet edhe mendimi i GJND së dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës”, Naim Qelaj, Koordinator Nacional për mbrojtje nga dhuna në familje.

Vendimi për mos pjesëmarrje i Z. Qelaj, është përkrahur edhe nga përfaqësuese të shoqërisë civile, nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës  dhe nga Kipred.Ju njoftojmë se nga Kosova në këtë forum është paraparë të marrin pjesë, përfaqësues të institucioneve të vendit si dhe shoqërisë civile, dhe ku do diskutohej, implementimi i Konventës së Stambollit në vendet e Ballkanit perëndimor dhe Turqisë,  veçanërisht për punën që po bëhet për mbrojtën  nga dhuna në familje.

Konferenca është organizuar nga Unioni Evropian, Këshilli i Evropës, UNWomen, nën patronatin e Qeverisë së Maqedonisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme