Qentë endacak bëjnë “kërdi” në Pejë, mbysin 30 shpezë shtëpiake

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 16:52 | Nga Ekonomia Online

Sulmet nga qentë endacak po vazhdojnë të jenë të pranishme në qytetin e Pejës. Raste të tilla, ka pasur në lagjen “Dardania”, në këtë qytet.

Kastriot Kasapi thotë se qentë endacak ia kanë mbytur rreth 30 shpezë. Sipas tij, kjo po ndodhë për herën e dytë.

“Është hera e dytë që qentë endacakë sulmojnë shpezët. Dje në mëngjes rreth orës 9:30 rreth tetë qenë që po qëndrojnë zakonisht si kolektiv, janë futur në lagje dhe rreth 30 shpezë janë kafshuar dhe mbytur nga ta”, deklaron për RTV Dukagjinin, Kastriot Kasapi.

Kasapi thotë se qentë endacak vazhdimisht janë duke paraqitur rrezik për qytetarët, sipas tij, rreziku kryesor mbetet tek fëmijët e lagjes.

“Për mu shqetësimi më i madh është për fëmijët pasi kjo lagje ka një numër të madh të fëmijëve që janë të moshës shumë të vogël. Është bërë një dukuri që fëmijët nuk guxojnë të dalin nga shtëpia pa përcjellje”, deklaron më tej Kastriot Kasapi, përcjell Telegrafi.

Në anën tjetër në Komunën e Pejës, përmes telefonit i kanë thënë RTV Dukagjinit, se çështja e qenve endacak i takon, Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës. Këta të fundit kanë qenë të pa qasshëm. 

Të ngjashme