Qerkini: Tetë persona nuk kemi arritur t’i bindim për të dhënë gjak sepse nuk i besojnë ADN-së

Prishtinë | 24 Qer 2021 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Më 25 qershor do të bëhet varrimi i Dibran Dibranit, Zeqir dhe Magbule Mujës si dhe Remzi Kurteshit, të cilët ishin të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë.

Trupat e të ndjerëve ishin gjetur në varrezat e myslimanëve në Mitrovicë, në fund të vitit të kaluar.

Bajram Qerkini nga Shoqata për personat e pagjetur “Zëri i prindërve” në një intervistë për emisionin Info Magzine në Klan Kosova se varrimi i të ndjerëve është vonuar derisa ka përfunduar procesi i identifikimit të eshtrave në mostrat e marra me ADN.

Qerkini tha se në Mitrovicë janë edhe pesë persona të pagjetur përderisa janë edhe tetë trupa që po mbahen në Mjekësinë Ligjore duke pritur mostrat për ADN.

Ai shtoi se akoma nuk kanë arritur t’i bindin tetë persona për të dhënë gjak dhe për të shikuar se a janë këto trupat e familjarëve të tyre.

Sipas tij ata kanë më shumë besim tek matrapazët e Beogradit që i gënjejnë ata se familjarët e tyre janë gjallë.

“Në Mitrovicë janë edhe pesë. Mirëpo në Mjekësinë Ligjore ka ende disa trupe që janë duke pritur për gjak. Ka edhe persona që nuk kanë dhënë gjak për mostra për të shikuar se a janë trupat e familjarëve të tyre. Tetë persona në Mitrovicë nuk japin gjak dhe nuk i besojnë ADN-së. Kjo sepse matrapazët në Beograd ju kanë thënë se janë gjallë. Ata më shumë ju besojnë atyre sesa neve. Tetë persona nuk kemi arritur që ti bindim që të japin gjak sepse nuk ju besojnë ADN-së”.

Dibran Dibrani, Zeqir Muja si dhe Remzi Kurteshi do të varrosen në varrezat e martirëve në Shipol, ndërsa Magbule Muja do të varroset në Malishevë

Zeqir dhe Magbule Muja janë burrë e grua.

Të ngjashme