Qeveria ashpërson kufizimet, qytetarëve u lejohet dalja vetëm 90 minuta në ditë sipas letërnjoftimeve

Prishtinë | 13 Pri 2020 | 20:58 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë shtypi, ka bërë të ditur masat e reja rigoroze të lëvizjes që janë marrë nga grupi ndëministror me qëllim të pamundësimit të përhapjes së mëtejme të pandemisë Covid19.

Me masat që do të hyjnë në fuqi prej datës 15 prill 2020, në orën 06:00, të mëngjesit, qytetarëve do t’iu lejohet qarkullimi jashtë shtëpive/banesave të tyre vetëm një orë e gjysmë në ditë.

Qarkullimi do të lejohet nga ora 7 në mëngjes deri në 22:30, gjatë orarit të përcaktuar në bazë të numrit të PARAFUNDIT të numrit PERSONAL në letërnjoftim (shiko tabelën).

Masat do të në jenë fuqi së paku deri më më 3 maj 2020, ka thënë ministri Vitia.

“Secili nga ju do të keni 90 minuta në dispozicion për të kryer shërbime bazike duke e respektuar distancën sociale dhe të gjitha rregullat e deritanishme për të mbrojtur shëndetin tuaj dhe shëndetin publik.
Ata që do të shkelin masat e ndërmarra, do të ballafaqohen me pasoja ligjore”.

Vitia tha se ndalohet shoqërimi me ndonjë person përveç në dy raste.

“Nuk lejohet shoqërimi nga asnjë person tjetër, përveç nëse janë persona me aftësi të kufizuara, dhe personat nën 16-vjeç, me kusht që të jetë i shoqëruar nga një anëtar i të njëjtës bashkësi familjare”. 

Gjatë këtyre 90 minutave qytetarëve iu lejohet qarkullimi për furnizim me mallra të domosdoshme (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë dhe produkte higjienike) dhe për të kryer detyrat dhe nevojat financiare (pagesat, punët bankare), pra sipas orarit të përcaktuar ditor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal.

Për shtetasit e huaj që nuk posedojnë numër personal, orari bazohet në shifrën e parafundit të pasaportës.

Mosrespektimi i masave të përcaktuara në këtë vendim konsiderohet, sipas ligjit, si kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë prej 1,000 Euro deri në 2.000 Euro gjobë për personat fizikë dhe prej 3,000 Euro deri në 8.000 Euro për personat juridikë, ndërsa personi përgjegjës i personit juridik dënohet prej 500 Euro gjobë deri me 1,500 Euro.

Vitia ka bërë thirrje që personat mbi 65 vjeç të mos dalin fare nga banesat veç në raste urgjente.

“Lëvizja e qytetarëve do të kufizohet ndjeshëm me një kufizim rigoroz i cili do të mbikëqyret nga organet e rendit në Kosovë. Masat përfshijnë kufizim maksimal të lëvizjes së qytetarëve, ndërkaq përjashtojnë kategoritë e liruara edhe më herët të cilët janë punëtorët shëndetësorë, siguria, shërbimet bazike etj”.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se këto masa janë vendosur me rekomandim të IKSHP-së dhe situatës së rasteve të fundit, pasi vetëm gjatë ditës së djeshme janë paraqitur 79 raste të reja.

“Qytetarë të nderuar ju falënderoj për kujdesin e treguar deri tani, për ta mbajtur lakoren e sheshtë nuk mundemi dhe nuk duhet të tolerojmë lëshime. Sot është jetike që këto masa që do të hyjnë në fuqi të mërkurën në ora 6 të respektohen. Organet do të kujdesen që këto masa të respektohen. Mund të duken rigoroze por do të na duhen që pas një kohe të marrim këto masa për të ruajtur shëndetin”.

“Nëse të gjithë bashkëpunojmë me njëri-tjetrin këto masa mbeten në fuqi në një kohë sa më të shkurtër. Është natyra e këtij virusi që edhe një masë e vogël e mosbindjes rrezikon shëndetin. Sa më shumë t’i respektojmë masat. Këto javë do të na testojnë durimin jashtë mase. Presim që numri i rasteve të rritet dukshëm. Por gjithçka varet nga disiplina jonë”.

Të ngjashme