Qeveria dënon sulmin mbi konsullatën e Kosovës në Strasbourg

Prishtinë | 26 Shk 2018 | 11:22 | Nga

Qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin e kryer javën e kaluar mbi Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Strasbourg si dhe shkatërrimin e stemës së Kosovës dhe heqjen e flamurit shtetëror nga objekti i Konsullatës, transmeton Ekonomia Online.

Përmes një komunikate për medie, Qeveria thotë se ky akt e centon integritetin e shtetit të Kosovës. Qeveria ka vlerësuar angazhimin e organeve franceze, derisa ka kërkuar nga ato që autorët të kapen dhe të dalin para drejtësisë.

“Sulmi që ndodhi në fundjavën e kaluar mbi Konsullatën e Përgjithshme dhe shkatërrimi i simboleve shtetërore, është një akt i papranueshëm që cenon integritetin e shtetit të Kosovës.

Republika e Kosovës është shtet sovran që respekton ligjet dhe të drejtën ndërkombëtare dhe vepron me përgjegjësi në marrëdhëniet ndërkombëtare si një faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit.

Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh indinjatën e thellë ndaj këtij akti dhe duke vlerësuar angazhimin e menjëhershëm të organeve franceze, kërkon nga ato që të zbulojnë dhe të kapin autorët si dhe t’i nxjerrin ata përpara drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme