Qeveria: Mbesin në fuqi masat e njëjta, përveç heqjes së orës policore dhe kthimit të mësimit në fakultete

Prishtinë | 11 Shk 2021 | 19:38 | Nga Ekonomia Online

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka sqaruar se vendimi për masat anti-COVID që është marrë sot është bërë në bazë të propozimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në situatën aktuale epidemiologjike.

Në këtë sqarim thuhet se parimisht mbesin në fuqi të gjitha masat e tjera, përveç se është hequr ora policore në komunat që janë në “zonë të kuqe”.

“Ndërlidhur me interpretimet e ndryshme rreth masave të fundit anti covid-19 në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë sqaron se vendimet e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë marrë sipas propozimeve të MSh-së bazuar në situatën aktuale epidemiologjike, e cila gjatë këtij muaji ka rezultuar të jetë më e qetë. Parimisht, mbesin në fuqi pothuajse masat e njëjta përveç heqjes së orës policore në komunat në “zonën e kuqe”, e cila tashmë si masë nuk ka ndonjë ndikim pozitiv si dhe kthimi i mësimit me prani fizike në fakultete, duke respektuar Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID-19”, thuhet në sqarimin e Qeverisë.

Kurse sa i përket reagimeve për Bordin Këshillëdhënës, në sqarim thuhet se ata i përgjigjen Ministrit të Shëndetësisë.

“Sa i përket Bordit këshillëdhënës për Covid-19, sipas mandatit që ka, ky bord është trup këshillëdhënës që i përgjigjet Ministrit të Shëndetësisë dhe jep këshilla sipas kërkesave të ministrit për çështje të lidhura me COVID-19”, thuhet tutje në sqarim.

Ndryshe, Qeveria në detyrë e Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar dhe miratuar vendimi për masat e përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.

Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masave për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme