Qeveria merr vendim që t’u ofrojë mbrojtje kontraktorëve afganë që punojnë në NATO

Prishtinë | 23 Gus 2021 | 20:05 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në formë elektronike, në lidhje me ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme për personat e rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Vendimi i miratuar sot, i ofron mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme kontraktorëve afganë, të cilët aktualisht punojnë për NATO-n, përfshirë familjet e tyre, thuhet në një njoftim për media.

Në rast të nevojës e me qëllim të sigurisë kombëtare, ata do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit nga institucionet relevante të sigurisë në Kosovë.

Ky vendim, në përjashtim të kategorisë së personave, të cilëve u ofrohet mbrojtje, korrespondon me pikat tjera të vendimit numër 01/26 të datës 16.8.2021.

Paraprakisht, me vendim të qeverisë, mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme i është ofruar personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të SHBA-së dhe personave të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), përfshirë familjarët e këtyre dy grupeve, përfundon njoftimi i Qeverisë së Kosovës.

Të ngjashme