Qeveria sqarohet për ngatërresën e aktiviteteve të MPJD-së në Draftin e Planit të Punës 2021/23

Prishtinë | 16 Dhj 2020 | 12:19 | Nga Ekonomia Online

Zyra e Kryeministrit të Republikë së Kosovës, Avdullah Hoti, sqaron opinion lidhur me informatat për hartimin e Draftit të Planit të Punës së Qeverisë për vitin 2021 – 2023, përcjell Ekonomia Online.

Plani i Punës së Qeverisë (PPQ) është dokumenti kryesor për planifikimin dhe monitorimin e zbatimit të aktiviteteve për arritjen e prioriteteve afatmesme të Qeverisë. Procesi për hartimin e këtij plani është mjaftë i gjatë, me hapa të shumtë procedural dhe kërkon koordinim të jashtëzakonshëm.

Një ilustrim i thjeshtë i procesit të hartimit të këtij plani është që departamentet e veçanta të institucioneve qendrore përcaktojnë aktivitetet që i kanë planifikuar për të ardhmen. Këto aktivitete vendosën në formatin e PPQ-së dhe shtjellohen tutje në mënyrë që të bëhet i mundshëm monitorimi dhe vlerësimi afatmesëm i zbatimit të këtyre aktiviteteve, që pasqyrojnë arritjen e Objektivave të Qeverisë.

Në fillim të vitit 2020 hartimi i PPQ-së ka kaluar nga formati një vjeçar në atë tre vjeçar, ku janë përfshirë edhe hapat procedural që supozohen të ndërmerren në vitet pasardhëse.

Ky ndryshim ka rezultuar me shfaqjen e disa gabimeve teknike gjatë procesit të hartimit. Një ndër to është edhe mosvendosja e aktiviteteve të planifikuara në rubrikat përkatëse. Konkretisht, aktivitetet e MPJD-së për vitin 2022 janë vendosur gabimisht në rubrikën e aktiviteteve për vitin 2023.

Drafti i PPQ-së është një dokument i hartuar nga Zyra për Planifikim Strategjik. Në këtë fazë është nxjerrë në konsultim publik, nga Zyra për Qeverisje të Mirë. Bëhet fjalë për një draft (projekt-propozim) i cili do të kaloj edhe hapa të tjerë të plotësim-ndryshimit dhe rishikimit para se të marrë formën përfundimtare dhe të miratohet nga kabineti qeveritar.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme