Qeveria ua paguan borxhet për ujë banorëve të veriut të Kosovës

Prishtinë | 23 Qer 2017 | 16:48 | Nga

Banorët e komunave veriore të Kosovës me vite nuk kanë paguar për shpenzimet e ujit, rrymës dhe shërbimeve tjera, thonë vetë qytetarët dhe autoritetet kompetente.

Mbi 12 milionë euro llogaritet vlera e faturave të ujit të shpenzuar, e të cilat nuk janë paguar nga banorët serbë të këtyre komunave që nga përfundimi i luftës.

Katër komunat në veri të Kosovës janë të banuara më shumicë serbe, të cilat ndër vite kanë funksionuar jashtë sistemit juridik-kushtetues të Kosovës.

Kompania Rajonale Ujësjellësi “Mitrovica”, që gjendet në Shipol, është e vetmja kompani e licencuar që kryen veprimtarinë e furnizimit më ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjen e kanalizimit në rajonin e Mitrovicës, ku përfshihen komunat e Mitrovicës jugore dhe veriore, Vushtrrisë, Skenderajt dhe Zveçanit.

Kryeshefi ekzekutiv në këtë kompani, Sami Miftari tregon se rreth 40 për qind e ujit të përgjithshëm shpenzohet për pjesën veriore të Kosovës, por çmimi është pesë herë më i ulët sesa në rajonet tjera.

Për mospagesën e faturave të ujit të shpenzuar, Miftari thotë se një veprim i tillë e ka vështirësuar gjendjen financiare të kompanisë, duke rrezikuar edhe sigurimin e pagave të punëtorëve.

“Herë pas here, Qeveria e Kosovës ka ndihmuar subvencionimin e ujit që distribuojmë për veri, mirëpo në këtë vit nuk ka shprehur interesim. Për arsye se veriu i Mitrovicës dhe Zveçanit, marrin para nga buxheti i Kosovës, sikurse çdo komunë tjetër. Por, deri më tani asnjë cent nuk është derdhur në llogarinë e ujësjellësit”, thotë Miftari.

Edhe disa nga qytetarët e asaj pjesë e pranojnë se nuk e paguajnë ujin, madje sipas tyre, për këtë shërbim nuk u shkojnë as faturat. Njëri nga ta është Millosh Jankoviq.

“Jo nuk paguaj. Askush nuk ka kërkuar dhe nuk e paguaj”, thotë Jankoviq.

Edhe një qytetare tjetër thotë se në pjesën veriore nuk e paguajnë ujin, raporton REL.

“Ujin, jo nuk e paguaj. Askush nuk e paguan këtu. Në jug nuk e di”, thotë kjo qytetare.

Por, Miodrag Ralliq, drejtor i Ujësjellësit në veri të Mitrovicës thotë se komunat Zubin Potok dhe Leposaviq kanë sistemin e tyre të furnizimit me ujë.

Sa u përket borxheve, ai thotë se kjo çështje po teprohet, ngase flitet vetëm mbi bazën e vlerësimeve paushall. Fabrika e ujit furnizon Mitrovicën veriore dhe Zveçanin, thekson Ralliq.

Ai thotë se nuk ka kontakte me udhëheqësit e Fabrikës së ujit në Shipol dhe se për të gjitha problemet, ai i raporton kryetarit të Komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiq.

Ralliq ngreh dyshime nëse Mitrovica veriore shpenzon 40 për qind të sasisë së ujit, pasi që jugu i qytetit të Mitrovicës, siç nënvizon ai, është pjesë shumë më e madhe.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë në largim nuk kanë dashur të deklarohen për këtë problem.

Ndërkaq në shpjegimet e mëhershme, nga Qeveria e Kosovës ishte bërë me dije se kjo është një çështje politike dhe se në disa raste, sipas tyre, ka intervenuar edhe Bashkimi Evropian që borxhi për pjesën veriore të Kosovës të mbulohet nga buxheti i shtetit.

Në Kosovë funksionin Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit, që është kompetent të sigurojë ofrimin e shërbimeve cilësore, të sigurta dhe më çmim të përballueshëm për gjithë banorët e Kosovës.

Edhe zyrtarë të këtij autoriteti, thonë se banorët e pjesës veriore nuk paguajnë ujin e shpenzuar.

Lule Aliu, zyrtare për marrëdhënie më publikun në këtë autoritet tha për Radion Evropa e Lirë se vitin e kaluar mbi katër milionë metra kub ujë janë dërguar në atë pjesë, më një çmim prej 0.17 centë për metër kub.

“Sa i përket faturimit, është kompania ajo që i bënë faturat, por nuk dërgohen në pjesën veriore. Do të thotë pjesa veriore nuk paguan ujin”, tha Aliu.

Por, kryeshefi ekzekutiv, Sami Miftari, nga Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” tregon se vitin e kaluar ka qenë i detyruar të ndërpresë furnizimin me ujë të pijshëm në atë pjesë, por në raste të tilla, thotë ai, ndërhynë bashkësia ndërkombëtare dhe Qeveria e Kosovës.

“Vitin e kaluar kemi ndërprerë furnizimin më ujë gjashtë herë, por përfaqësuesit e pjesës veriore kanë thirrur në Beograd ose në Bruksel. Më pas, Brukseli ka thirrur Prishtinën dhe në këtë mënyrë është alarmuar situata dhe Qeveria e Kosovës, herë pas herë ka paguar një pjesë të mjeteve”, shprehet Miftari.

Përveç 12 milionë euro borxh për uji, banorët e komunave veriore të Kosovës, shpenzojnë rreth 8 milionë euro në vit fatura të energjisë elektrike, shifër kjo që nuk paguhet nga ta, por nga qytetarët e pjesëve tjera të Kosovës.

Mospagesa e shërbimeve publike në këtë pjesë të Kosovës, ndodh që nga përfundimi i luftës së fundit në Kosovë, në vitin 1999, ku autoritete kompetent e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës.

Procedimin e borxheve të qytetarëve serbë nga veriu i Kosovës tek buxheti apo pjesa tjetër e banorëve, është adresuar si problematikë edhe nga Avokati i Popullit. Ai e ka cilësuar jo vetëm si shkelje të drejtave të njeriut këtë veprim të autoriteteve të Kosovës, por edhe si mënyrë joligjore të inkasimit të mjeteve.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme