Qindra konkurse në institucionet publike, drejt anulimit

Prishtinë | 19 Sht 2019 | 14:46 | Nga Ekonomia Online

Konkurset e shpallura për vende të reja të punës në institucionet në nivelin qendror dhe lokal, nuk kanë bazë ligjore dhe si të tilla duhet të anulohen, thonë përfaqësues të shoqërisë civile.

Ditëve të fundit, në faqet e internetit të disa institucioneve shtetërore, të cilat i ka verifikuar edhe Radio Evropa e Lirë, siç janë faqet e internetit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Infrastrukturës, Ministrisë së Diasporës, asaj të Administratës Publike, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e po ashtu edhe në nivelin lokal, ku janë identifikuar Komuna e Prishtinës, e Podujevës, ajo e Prizrenit e komuna tjera, figurojnë shumë konkurse të hapura për punësime.

Shumica e këtyre konkurseve janë shpallur duke u bazuar në Ligjin për shërbimin civil numër 03/l-149. Por, problemi, sipas shoqërisë civile, qëndron te fakti se ky ligj është shfuqizuar qysh nga data 11 shtator, 2019, kur ka hyrë në fuqi Ligji për zyrtarët publikë.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Ministria e Administratës Publike, vetëm gjatë muajit shtator, janë aprovuar 513 kërkesa për konkurse (duke përfshirë edhe datën para hyrjes në fuqi të Ligjit për zyrtarët publikë) për nivelin qendror, për ministri, agjenci të pavarura dhe nivel komunal.

Ligji për zyrtarët publikë është miratuar në muajin shkurt në Kuvendin e Kosovës, ndërsa në Gazetën Zyrtare të Republikës se Kosovës është shpallur më 11 mars të këtij viti, ku thuhet se “Ligji hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare”, që i bie më 11 shtator të këtij viti.

Andaj, nisur nga fakti që shumica e konkurseve, në pothuajse të gjitha institucionet publike, janë të shpallura pas datës 11 shtator, tani kërkohet anulimi i tyre.

Të ngjashme