QKMF në Podujevë po përballet me mungesë të mjekëve

Prishtinë | 29 Mar 2021 | 16:15 | Nga Ekonomia Online

Me mungesë të mjekëve është duke u përballur Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevës. Pas pranimit të më shumë se 1000 specializantëve në nivel vendi nga ish-Qeveria Hoti, QKMF-në në Podujevë e ka lënë pa 12 mjekë. Zyrtarët e këtij institucioni thonë se pritet që këto ditë të shkojnë edhe 4 mjekët tjerë. Drejtori i QKMF-së, Ymer Llugaliu, thotë se mungesa e këtyre mjekëve ka ndikuar që 14 Qendra të Mjekësisë Familjare dhe Amblanca në terren të mbesin vetëm me infermiere. Sipas tij, kjo ka ndikuar që të stërngarkohet institucioni kryesor shëndetësor në Podujevë.

“Prej QKMF-së kanë shkuar 12 mjekë përnjëherë në specializim, edhe tash pritet të shkojnë 2 a 3 të tjerë, edhe 2 ka mundësi të shkojnë jashtë Kosovës, që në total janë 16 mjekë. Vetë numri nënkupton se ato ambulanca të cilat kanë funksionuar me mjekë, tash me shkuarjen e tyre ka mungesa. Ne staf tjetër nuk kemi, kështu që ato tash funksionojnë vetëm me infermiere, disa të tjera janë në renovim dhe janë jofunksionale”, ka thënë Ymer Llugaliu. “Për shkak të shkuarjes së mjekëve në specializim janë diku 14 nga 22 sa janë në total QMF dhe AMF që kanë mbetur pa mjekë. Është e vërtetë se mungesa e mjekëve nëpër QMF dhe AMF reflektohet shumë në QKMF. Shërbimi këtu është stërngarkuar, plus COVID-i, tash edhe sezoni i gripave, të sëmurët kronikë, Emergjenca, Mjekësia Familjare, tash edhe me vaksinimin”.

Drejtori i QKMF-së në Podujevë, thotë se është shpallë konkursi për pranimin e dhjetë mjekëve të rinj, por sipas tij, vetëm 2-3 mjekë janë të kualifikuar e që janë pa punë.

“Ne i kemi marrë masat me kohë. Menjëherë iu kemi drejtuar Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Komunës së Podujevës, prej të cilës kemi pas shumë përkrahje, sidomos prej kryetarit, ku kemi kërkuar kuadër, mjekë dhe staf të mesëm, sidomos për mjekë, se kryetari i ka siguruar 16 infermiere. Është shpallë konkurs për 10 mjekë, por po marrin kohë procedurat e konkursit. Por, sipas informatave që kemi janë 2-3 mjekë duke pritur, se nuk ka të tjerë që presin për punë”, ka theksuar drejtori Llugaliu.

Në anën tjetër ai thotë se QKMF ka shumë nevojë për mjekë për shkak edhe të situatës emergjente.

Edhe në Komunën e Podujevës tregojnë për vështirësitë që u janë krijuar pas shkuarjes në specializim të mjekëve. Zëdhënësi, Fatri Zhitia, thotë se në specializim kanë shkuar 12 mjekë përnjëherë.

“Tash para dy dite ka shkuar edhe një mjek dhe nga informacionet që kemi pritet të shkojnë edhe 2 apo 3 mjekë të tjerë në specializim. Mungesa e mjekëve ka sjellë probleme në mbarëvajtjen e punëve kudo, e posaçërisht në AMF – dhe në Mjekësinë Familjare. Tash pas shtimit të numrit të të infektuarve me Covid-19 në Komunën tonë, jemi duke u ballafaquar me shtim të numrit të qytetarë që kanë nevojë për tretman mjekësor dhe po angazhohemi maksimalisht që shërbimet shëndetësore të jenë në nivelin e duhur në Qendrën Anti-Covid”, ka deklaruar zëdhënësi i Komunës së Podujevës.

Zhitia thotë se Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare po punon me të gjitha kapacitetet që i ka në dispozicion.

“Mjekët po angazhohen dhe po punojnë pareshtur për t’u ofruar trajtimin e nevojshëm shëndetësor sa më shumë qytetarëve. Sigurisht që largimi i disa mjekëve për në specializim ka kufizuar edhe shërbimet shëndetësore në terren pra me shërbimin paliativ tash kemi më rrallë mjekë në terren dhe po i prioritiziojmë rastet që janë më urgjente, e disa AMF janë të hapura vetëm me infermiera shkaku i mungesës së mjekëve”, ka thënë ai.

Fatri Zhitia ka theksuar se Komuna ka adresuar kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë për ndihmë dhe se janë në proces të negocimit për të gjetur zgjidhje të përshtatshme dhe permanente.

“Nuk ka mjekë të mjaftueshëm të diplomuar në Komunën tonë dhe kjo është sfidë e madhe që po ballafaqohemi dhe na pret edhe në të ardhmen për t’u ballafaquar. Tash e kemi të hapur konkursin për 9 mjekë dhe po synojmë të sigurojmë së paku 2-3 që i plotësojnë kriteret dhe mund t’i reduktojmë si staf të ri”, ka thënë zëdhënësi në Komunën e Podujevës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme