QKRMT po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare për viktimat e dhunës seksuale, në Hagë

Prishtinë | 26 Nën 2018 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Drejtoresha e QKRMT-së, znj.Feride Rushiti,  bashkë me drejtoreshën e QPDG-së znj.Kadire Tahiraj dhe znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale nga koha e luftës në Kosovë, po marrin pjesë në eventin ndërkombëtar “From words to action: repairing the wounds of wartime sexual violence,”  organizuar nga Dr. Denis Mukwage Foundation, në Hagë.

Në këtë event, znj. Rushiti do të flasë për dhunën seksuale si mjet lufte që është përdoruar masivisht nga forcat armike gjatë viteve 1998-1999; vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar dhe po kalojnë të mbijetuarit e dhunës seksuale; ballafaqimin me të kaluarën, stigmatizimin e kësaj kategorie të ndjeshme shoqërore, si dhe promovimin e qasjes gjithëpërfshirëse dhe trajtimin e dinjitetshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale; njohjen e statusit ligjor për të mbijetuarit e dhunës seksuale; pensionin personal i cili njeh vuajtjet dhe dhimbjet e tyre; si dhe vështirësitë që viktimat po hasin për qasjen në drejtësi.

Sot ka ardhur koha, që përtej njohjes dhe mbështetjes institucionale, ne të bëhemi zë i fuqishëm edhe në arenën ndërkombëtare. Këtë zë më së miri është duke e përçuar vetë e mbijetuara znj. Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila përmes rrëfimit të saj po përcjell vuajtjet dhe mesazhet e shumë të mbijetuarve tjerë nga koha e luftës, në mbarë globin.

Dr. Denis Mukwage është fitues i Çmimit Nobel për Paqe 2018, i cili përmes fondacionit të tij, programeve të ndryshme dhe avokimit ndërkombëtarë, ka mbështetur të mbijetuarit e dhunës seksuale në betejën e tyre për njohje dhe pjesëmarrje aktive në zhvillimin e politikave nacionale dhe ndërkombëtare që kanë të bëjnë me drejtësinë, paqen dhe të drejtat e grave.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme