Qumështarët kërkojnë përfshirjen në Pakon Emergjente Fiskale

Prishtinë | 13 Maj 2020 | 14:08 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Industrisë së Qumështit në Kosovë (SHIQK) dhe Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës (SHPQK), kërkojnë përfshirjen e prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit në planin operacional për Pakon Fiskale Emergjente.

Kërkesat e tyre këto shoqata i kanë bërë përmes një letre dërguar Ministrisë së Financave, të Bujqësisë dhe të Tregtisë.

“Sektori i prodhimit dhe përpunimit të qumështit është njeri ndër sektorët më konkurrues dhe gjithëpërfshirës te bujqësisë, duke filluar nga lavërtaria e deri te produktet finale te industrisë së qumështit. Ndikimi i këtij sektori në ekonominë vendore, tregun e brendshëm vendor është jashtëzakonisht i fuqishëm në zëvendësim të produkteve nga importi, madje viteve te fundit ka pasur edhe rritje te eksportit. Në ketë sektor janë të regjistruara rreth 8,500 ferma komerciale ku përafërsisht te punësuar ka rreth 20,000- 22,000 fermerë, mbi 50 pika grumbulluese të qumështit me rreth 350 të punësuar, ndërsa qumështoret me rreth 1,000-1,200 të punësuar dhe shumë të tjerë të përfshirë direkt dhe indirekt në këtë sektor. ne si prodhues dhe përpunues jemi thellësisht të indinjuar nga mospërfillja thuajse në asnjë formë të përkrahjes në Pakon Fiskale Emergjente”, thuhet në njoftimin e shoqatave. 

Të ngjashme