Qytetarët djegin për dy ditë nëntë kontejnerë

Prishtinë | 28 Kor 2017 | 11:28 | Nga

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi”, në Prishtinë njofton për gjendjen alarmante e cila është krijuar nga djegia e kontejnerëve të plastikës që po vazhdon të përsëritet tash e sa muaj në qytetin e Prishtinës.

Për vetëm dy ditë nëpër rrugët e Prishtinës, janë djegur nëntë kontejnerë të plastikës.

“Me dt. 26.07.2017 në orët e vona , në Rr. “Dëshmorët e Kombit”, është djegur 1- kontejnerë i shërbimit të mbeturinave, ndërsa  2-kontejnerë të tjerë në Rr. “Fehmi Lladrovci”, ndërsa, me dt. 27.07.2017 janë djegur edhe 6-kontejnerë të tjerë, 1-kontejnerë në Rr. “Galibardi”, ndërsa 5 të tjerë te parkingu mbrapa Postes së Madhe”, thuhet në njoftimin për media që ka bërë Kompania “Pastrimi”.

Nga kjo kompani thonë se djegia e kontejnerëve, do të bëjë që qyteti të bëhet kaos i mbeturinave.

“Nga kjo gjendje e krijuar në qytet, Kompania “Pastrimi”, njofton se nuk ka mundësi të bëjë zëvendësimin e kontejnerëve të djegur dhe si rezultat i kësaj qyteti mund të bëhet kaos i mbeturinave”, thuhet në njoftimin e Kompanisë “Pastrimi”.

Sipas “Pastrimit”, djegia po bëhet nga qytetarë të papërgjegjshëm dhe se nuk ka të ndalur që nga vendosja e tyre nëpër pikat përkatëse për hedhjen e mbeturinave.

Kompania “Pastrimi”, ka bërë apel te qytetarët që të parandalojnë këtë dukuri.

“Kërkojmë nga qytetarët të jenë të kujdesshëm në ruajtjen e kontejnerëve si dukuri negative e cila duhet të dënohet, ndërsa institucionet kompetente, të cilat në bazë të përgjegjësisë së tyre të marrin vendimet e duhura për parandalimin e kësaj dukurie.”

Ndryshe, që nga vendosja e kontejnerëve të plastikës, nga fundit i vitit 2016 e deri më tani janë djegur afro 50 kontejnerë të plastikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme