Qytetarët festojnë Pavarësinë, presin nga qeveria e re zhvillim ekonomik

Prishtinë | 17 Shk 2020 | 10:23 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në orët e para të mëngjesit shumë qytetarë kanë dalë për të festuar Ditën e Pavarësisë së Kosovës.

Adem Gërbeshi ka ardhur nga Gjermania për ta festuar 17 Shkurtin.

Ai tha për Ekonomia Online se gjithmonë vjen në Prishtinë për ta festuar këtë festë.

Sipas tij kjo ditë është shumë e rëndësishme për popullin shqiptar.

Gjithashtu ai i bëri thirrje qytetarëve që të jenë sa më të bashkuar.

“Kjo ditë për neve është shumë e rëndësishme dhe as nuk mundemi me paramendua dhe asnjëherë nuk e kemi bë me ne se do të vijmë deri këtu ku jemi sot, po shyqyr që erdhëm deri te kjo ditë. Unë kisha preferua me qenë sa më të bashkuar njerëzit sepse sa më shumë që jemi të bashkuar aq më të fort jemi. Shoqëria mas lufte janë kanë shumë të dashur njëri-tjetrin ndërsa tash nuk është ajo dashuri e madhe. Gëzim më të madh nuk kam pas kurrë. Nga qeveria e re presim diçka ma mirë dhe mendoj që do të bahet më mirë në qoftë se të gjithë bashkohemi. Prej Gjermanisë kam ardh me e festu 17 shkurtin. Gjithmonë vijmë prej Gjermanisë me e festua Ditën e Pavarësisë.

Edhe për Shefki Gashin kjo ditë është shumë e rëndësishme dhe është dita më e madhe e popullit të Kosovës. Gashi nga qeveria e re pret që të punojë më shumë në drejtimin ekonomik.

“Kjo ditë është tepër e rëndësishme dhe Dita e Pavarësisë është dita më e madhe e popullit të Kosovës. Kur është shpall Pavarësia jam ndier tepër mirë. Besoj që pasdite do të dalë edhe dika tjetër për ta festuar. Qeveritë shkojnë e vine ndërsa shteti mbet. Nga qeveria e re presim ndoshta ndonjë ndryshim, po ndryshimi kryesor është zhvillimi ekonomik dhe besoj që do të punohet në atë drejt po ashtu edhe për momentin është mbikëqyrja Evropiane dhe Amerikane ndaj Kosovës”

Sanije Gashi për këtë ditë falënderoi ish-presidentin Rugova dhe Amerikën. Ajo gjithashtu tregoi edhe për emocionet që kishte pasur në shpalljen e Pavarësisë.

“Sot është një ditë shumë e madhe për popullin tonë dhe ju uroj të gjithë shqiptarëve Ditën e Pavarësisë dhe ishalla kalojnë mirë e kënaqen sot dhe emocione kemi gjithmonë dhe sot është një ditë e papërshkrueshme. Kur është shpallë Kosova shtet më kanë shkua flokët përpjetë dhe mu ka dok se është e pamundshme, por së pari duhet ta falënderojmë presidentin Rugova dhe Amerikën. Nga Qeveria e re presim ndryshime të mëdha dhe me rëndësi shtetin e kemi dhe tash punojnë më shumë sepse e kemi një kombinim të qeverisë shumë të mirë”, tha ajo për EO.

Shaip Sadiku tha se me shumë gëzim këtë ditë e kanë prit gjenerata e vjetra ndërsa sot po e përjetojnë gjenerata e reja.

Ai tha se shpalljen e Pavarësisë e ka përjetuar me shumë lot dhe emocione. Atë po e brengos dalja shume e pakt e qytetarëve për ta festuar Pavarësinë.

“Ditë e madhe për krejt popullin shqiptar dhe këtë ditë e kanë prit gjeneratat e vjetra dhe po e përjetojnë  të rinjtë,  nuk paskan dal shumë njerëz me festua në këtë mëngjes. Kam pas shumë emocione kur është shpallë Pavarësia dhe ka qenë një ditë që e kemi përjetua me shumë lot dhe emocione. Besoj se tash do të bëhet mirë sepse qdo kush që del në atë vend ka dëshirë që ta udhëheq mirë vendin dhe rinia nuk e zgjedh personin por e zgjedh pushtetin se si të udhëheq”, tha ai.

Kosova me aktivitete të shumta po kremton 12-vjetorin e Pavarësisë.

Të ngjashme