Qytetarët mirëpresin ndryshimin e orarit për kufizimin e lëvizjes

Prishtinë | 28 Mar 2020 | 12:12 | Nga Arlinda Sejdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vendimin e mbrëmshëm të Qeverisë për ndryshimin e orarit të kufizimit të lëvizjes, qytetarët po e mirëpresin pasi sipas tyre orari i mëparshëm për qarkullim shkaktonte më shumë tollovi, raporton Ekonomia Online.

Ndonëse, me vendimin e ri qarkullimi lejohet deri në orën 17:00 shumë qytetarë kanë dalë më herët t’i kryejnë furnizimet me ushqime dhe barëra.

Besim Azemi, thotë se me orarin e vjetër të lëvizjes grumbullimi i qytetarëve ishte më i madh dhe se ekzistonte rreziku i përhapjes së virusit.

“Është më vend se orari i mëparshëm nuk ka qenë i përshtatshëm për qytetarët si për furnizim si për të gjitha”.

“Ma vështirë ka qenë ai orar se në ora 16:00 na është dashur me shku dhe kallaballëk dhe ndikimi i sëmundjes është më i madh”, tha ai.

Muhamet Redenica, vlerëson se ndryshimi i orarit të kufizimit të qytetarëve dhe veturave është lehtësim për furnizim dhe mos grumbullim të shumë personave në një vend.

 “Është pak më lehtësim se nuk bëhen turma të mëdha si më herët. Dola një furnizim të vogël. Më mirë është, por duhet me pas kujdes mos me u grumbulluar”, theksoi ai.

Ai thotë se po i respekton masat dhe del shumë pak nga shtëpia, raporton EO.

Riza Krasniqi thotë se i kanë pëlqyet masat e marra nga Qeveria për mbrojtje nga Coronavorusi. Megjithatë sipas tij, orari i mëparshëm i lëvizjes ka qenë jo i përshtatshëm.

“Ka qenë orar shumë i papërshtatshëm edhe për furnizim, por edhe kështu njerëzit kanë nevojë të lëvizin pak në natyre”, theksoi ai.

Qeveria ka ndaluar qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00 deri në orës 06:00 si dhe ka ndaluar që qytetarët të qarkullojnë nëpër sheshe të hapura.

Më herët Qeveria kishte vendosur dy orare për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve, përkatësisht nga ora 10:00 deri në 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00.

Por, ndalimi i qarkullimit të qytetarëve u kundërshtua nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të marrë vlerësimin rreth kushtetutshmërisë së vendimit.

Kushtetuesja ende nuk ka dalë me një opinion për këtë çështje.

Në Kosovë janë regjistruar 88 raste me Coronavirus, ndërkaq një pacient ka vdekur.

Të ngjashme