Qytetarët në Lipjan kërkojnë rregullore për mosshpërndarjen e afisheve në hyrje të banesave

Prishtinë | 09 Nën 2020 | 19:07 | Nga Ekonomia Online

Qytetarët në Lipjan prej kohësh po kërkojnë nga institucionet komunale ta hartojnë një rregullore të veçantë për ndërprerjen e shpërndarjes së afisheve (fletushkave-reklamave) nëpër hyrje banesore.

Këto afishe më së shumti po shpërndahen nga bizneset e marketeve të mëdha sa herë që kanë oferta të ndryshme për produkte ushqimore dhe për produkte të tjera, raporton KOHA.

Andaj sipas qytetarëve këto afishe po shndërrohen në mbeturina dhe askush nuk po i pastron nëpër lagje të qytetit. Rreth kësaj çështjeje Inspektorati i Komunës gjatë muajve të fundit ka shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj këtyre bizneseve, ndërkohë edhe kuvendarët në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal kanë debatuar mjaft gjatë rreth kësaj çështjeje.

Albert Berisha, banor nga Lipjani, ka thënë se disa herë gjatë javës po shpërndahen afishe nga marketet nëpër hyrje të banesave dhe nëpër lagje të qytetit, ndërkohë askush nuk po merret me pastrimin e tyre. “Jemi ankuar disa herë edhe te Inspektorati, iu kemi dërguar edhe fotografi dhe video se si po shpërndahen këto afishe pa asnjë rregull. Ne jemi të shqetësuar, sepse të gjitha ato po shndërrohen në mbeturina dhe nuk po pastrohen nga askush. Prandaj kërkojmë nga Komuna që ta hartojë një rregullore dhe ta ndërpresë shpërndarjen e tyre në këtë mënyrë”, ka thënë Berisha.

Rreth kësaj çështjeje, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Lipjan më së shumti ka reaguar kuvendari nga Partia e Drejtësisë, Arben Salihu. Sipas tij, ekzekutivi duhet me urgjencë ta paraqesë para KK-së një propozim-vendim për inicimin e hartimit të një rregulloreje e cila ua ndalon marketeve dhe bizneseve shpërndarjen e afisheve vend e pa vend. “Po e ngriti këtë shqetësim të qytetarëve lidhur me afishet e shpërndara në hyrjet e banesave dhe lagjet urbane të cilat po shpërndahen kryesisht nga marketet ushqimore. Meqë tashmë jetojmë në kohën e elektronikës dhe rrjetet sociale janë më së të frekuentuara nga çdo qytetar, nuk po e shoh të arsyeshme që këto reklama, që në fakt janë bërë të tepërta, të na bezdisin në hyrjet e banesave tona. Një rregullore e tillë tashmë është aprovuar nga disa komuna të Kosovës, prandaj besoj se do të ishte e duhur edhe për qytetin e Lipjanit”, ka thënë Salihu. Ndërkaq Shkëlzen Bislimi, kuvendar nga Lëvizja Vetëvendosje në Lipjan, ka thënë se Komuna e Lipjanit duhet ta marrë si shembull Prishtinën dhe disa komuna të tjera të cilat tashmë e kanë të rregulluar çështjen e shpërndarjes së afisheve. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme ta përkrahë inicimin e një rregulloreje të veçantë rreth kësaj çështjeje, e cila është në interes të qytetarëve. “Qytetarët kanë adresuar edhe tek ne shqetësime se po krijohen mbeturina nga shpërndarja e afisheve, qoftë në hyrje të banesave apo edhe nëpër lagje të qytetit. Pra, këto afishe që shpërndahen në numër shumë të madh në qytetin tonë po e ndotin më së shumti ambientin, prandaj ekzekutivi duhet të marrë masa fillimisht për inicimin e një rregulloreje të veçantë e pastaj Inspektorati të shqiptojë gjoba për të gjithë ata që e shkelin ligjin”, ka thënë Bislimi. Sipas tij, kompanitë e bizneseve të cilat e bëjnë shpërndarjen e afisheve në një periudhë të caktuar asnjëherë nuk i pastrojnë ato, prandaj me vendim të Kuvendit Komunal duhet t’ia ndalojnë një gjë të tillë.

Edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal në Lipjan, Daut Azemi, ka thënë për Kohën se e përkrah kërkesën e kuvendarëve dhe të qytetarëve për hartimin e një rregulloreje të re, por ka bërë me dije se duhet të shikohen procedurat ligjore se a është e lejuar një gjë e tillë. “Duhet fillimisht ta shikojmë se si është e rregulluar kjo çështje me ligj, pastaj ta shikojmë si model edhe në ndonjë komunë tjetër e cila e ka hartuar një rregullore të tillë, pastaj duhet ta shikojmë se si po funksionon një gjë e tillë. Ndryshe e përkrahim kërkesën e qytetarëve që të mos bezdisen me afishe të tilla para hyrjeve të banesave dhe para hapësirave të tyre nëpër lagje, sepse tashmë të gjitha ato afishe mund të shpërndahen në mënyrë elektronike pasi që teknologjia ka avancuar mjaft shumë”, ka thënë Azemi.

Në anën tjetër Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, ka deklaruar se gjatë muajve të fundit kanë shqiptuar dhjetëra gjoba ndaj bizneseve të cilat kanë ndotur ambientin me afishe të tilla nëpër prona publike dhe nëpër hyrje të banesave kolektive. “Kemi pranuar incizime dhe fotografi nga qytetarët se si marketet e caktuara po organizojnë shpërndarjen e mijëra afisheve nëpër hyrje banesore dhe lagje urbane. Ne i kemi identifikuar dhjetëra biznese dhe ua kemi iniciuar lëndët sipas ligjeve në fuqi. Mirëpo edhe si Komunë po besojmë se në të ardhmen e afërt do ta kemi një rregullore të veçantë për këto afishe dhe nuk besoj se do të kemi shqetësime të tilla nga qytetarët”, ka njoftuar Rrustemi.

Të ngjashme