Qytetarët në veri të Mitrovicës janë të traumatizuar nga bombat e sirenat e vazhdueshme

Prishtinë | 13 Tet 2021 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Qytetari Skender Sadiku që jeton në veri të Mitrovicës thotë se janë të lodhur nga situata e sigurisë në këtë pjesë të Kosovës.

Ai thotë se që nga paslufta jo vetëm shqiptaret por edhe qytetarët e komuniteteve tjera që jetojnë në Mitrovicë janë bërë me trauma.

“Jemi bërë me trauma jo vetëm ne, por edhe disa gjenerata tjera”, tha ai në RTV Dukagjini.

Sadiku thotë se ky aksion në veri do të duhej të ishte aksion normal si në vendet tjera por që eskaloi.

“Edhe qytetarët e mirëfilltë serb nuk besoj se janë të mendimit që të mbrohen kontrabandistët”.

Sadiku thotë se shumë qytetarëve ngjarjet e sotme u kanë shkaktuar tronditje.

“Një djalë këtu e ka pasur ditëlindjen e 16-të, mirëpo familjarët është dashur të largohen për shkak ët ngjarjeve. Një tjetër fëmijë që jeton në këtë pjesë është dashur të largohet. Një vajzë 6-vjeçare është traumatizuar. Si t’i shpjegohet asaj çka po ndodh. Kanë ndodhur skena të trishta. Shumica e popullatës janë traumatizuar edhe në mungesë të informatave fillestare”.

Ai thotë se edhe alarmet që po keqpërdoren po shkaktojnë trauma.

“Ka njerëz që nuk mund të lëshojnë shtëpitë e veta kur kanë dëgjuar alarmin dhe sirenat. Ata kanë dëgjuar krisma, shok bomba e shumëçka tjetër. Ata kanë pësuar trauma”, deklaroi Sadiku.

Skender Sadiku është zgjedhur bartës i listës së koalicionit shqiptaro-boshnjak për komunën e Mitrovicës së Veriut për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Të ngjashme