Qytetarët vlerësojnë peticionin, PSD të martën në Prizren për mbledhjen e nënshkrimeve

Prishtinë | 24 Maj 2021 | 15:26 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate do të qëndrojë të martën në komunën e Prizrenit, për të mbledhur nënshkrime për peticionin e faljes së gjobave të shqiptuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve të vogla e të mesme, për shkeljen e masave kundër Covid-19, raporton Ekonomia Online.

Zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi tha se ka pasur interesim të madh të qytetarëve për të nënshkruar peticionin.

“Jemi që tri ditë këtu për mbledhjen e nënshkrimeve, ka shkuar mirë dhe ka pasur interesim të madh dhe me këtë interesim që po shohim, po duket që nënshkrimet kanë me u mbledh shumë  shpejtë, ku edhe në komuna tjera kemi me vazhdu dhe në përgjithësi po shkon mirë”, tha Kuçi.

Ndërsa, anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi, nga kjo parti tha se janë arritur mijëra nënshkrime.

“Tash jemi në ditën e tretë dhe gatishmëria është e madhe për të nënshkruar, duke pasur parasysh se pandemia ka prekur ata që kanë më së paku. Ligji është zbatuar në mënyrë selektive ku qytetarët janë dënuar në mënyrë masive. Deri tash janë mbledhur mijëra nënshkrime sepse është duke vazhduar akoma, nesër do jemi në qytetin e Prizrenit deri të arrijmë në numrin e kërkuar”, tha Krasniqi.

Dy nga qytetarët e intervistuar nga Ekonomia Online, e kanë cilësuar si hapë të mirë këtë iniciativë.

Arlind Ukaj qytetar nga Prishtina tha se gjobat duhet të falen pasi i konsideron të padrejta shqiptimin e gjobave nga ana e Policisë.

“Iniciativa është shumë e mirë sepse ka pasur shumë padrejtësi, dhe mendoj që është vendim i duhur, ka pasur raste që edhe unë jam gjobitur sepse më është dashur të dal për nevoja të ndryshme e për punë kështu që duhet falen”, tha ai.

Edhe qytetari tjetër Ardian Himaj tha se konsideron të nevojshme faljen e gjobave.

“Është iniciativë e mirë, sepse ka qenë obligative me dalë, edhe pse personalisht nuk jam gjobitur mirëpo mendoj që duhet falur”, tha ai.

Të ngjashme