Qytetari që pagoi 200 euro për testin, thotë se rezultatin e mori pas më shumë se 2 orëve

Prishtinë | 30 Gus 2020 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë pak minuta më parë ka lëshuar një komunikatë për media pas raportimit se testi PCR në laboratorin privat “Medical & Laboratory Services” në Prishtinë të licencuar për kryerje të testeve të tilla për COVID-19, po kushton 200 euro.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se testi PCR (genex covid test) i cili po kushton 200 euro, është test i shpejt, dhe rezultatet dalin për 45-60 minuta.

E po ashtu ka njoftuar se testi normal PCR kushton 65 euro e ato serologjike sillen prej 15 deri 30 euro. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i qytetarit Izet Berisha i cili ka paguar 200 euro për testin molekular PCR në këtë laborator privat.

Berisha thotë se  rezultati për marrjen e testimit të cilin e ka paguar 200 euro ka zgjatur 2 orë e 29 minuta. Këtë gjë, ky qytetar e ka dëshmuar me anë të raportit të cilin e ka marrë nga vet laboratori privat, raporton express.

Në raportin që “Medical & Laboratory Services” i ka lëshuar këtij pacienti, thuhet se data e marrjes së mostrës bashkë me orën është 29.08.2020 në ora 17:10:17.

Ndërkohë data e raportimit të rezultatit është me po të njëjtën datë, por që ora ndryshon. Pra 29.08.2020 në ora 19:39:29 .

Që i bie se mostra e testimit të cilin e ka paguar 200 euro nuk është përpunuar pa 2 orë e gjysmë.

Por nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë kosovare është arsyetuar ky veprim i laboratorit privat.

Nga MSH kanë deklaruar se është në të drejtën e qytetarit që të zgjedhë se ku të testohet dhe sa të paguhet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme