Qytetari serb në Merdarë: Tash në pleqëri më duhet vet t’i bëj ndryshimet në targa

Prishtinë | 01 Gus 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Një qytetar serb e ka komentuar vendimin e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendosjen e reciprocitetit për letërnjoftime dhe targat serbe.

Ai gjatë kalimit të pikës kufitare në Merdarë është shprehur se respekton çdo vendim kushtetues, derisa shtoi se nuk ka asnjë problem me shqiptarët.

Megjithatë, ai është ankuar se pse duhet t’i ndryshojë targat.

“Unë e respektoj çdo vendim kushtetues. Unë kam lindur në Kosovë dhe lëviz pa asnjë problem. Po vërtet kësaj radhe nuk e di se për çfarë po bëhet fjalë. Unë nuk kam asnjë problem me shqiptarët. Tash në pleqëri më duhet vet t’i bëj ndryshimet në targa”, është shprehur ai për Klan Kosovën.

Serbët lokalë gjatë ditës së djeshme kanë vendosur barrikada duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinjë.

Nga mesnata është duke u zbatuar vendimi për reciprocitet me Serbinë në lidhje me targat dhe letërnjoftimet.

Por, Qeveria – pas kërkesës së ambasadorit amerikan – është zotuar se pas largimit të barrikadave do ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi për një muaj.

Kryeministri Albin Kurti e ka përsëritur ehde një herë sot se vendimi për reciprocitet mbetet në fuqi deri në largimin e të gjitha barrikadave.

Të ngjashme