Radhë të gjata në “Termokos” për shlyerjen e borxhit

Prishtinë | 29 Gus 2016 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Ndërmarrja Publike  “Termokos” njofton se sado që deri më tani ka arritur të lidhë marrëveshje me konsumatorë për shlyerjen e borxhit, ende është shumë i lartë numri i konsumatorëve borxhlinj, që nuk kanë shprehur gatishmëri për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit deri në fund të vitit 2008, ashtu siç parashihet me ligj.

Siç njofton “Termokos” që nga shtatori i vitit të kaluar, kur ka hyrë në fuqi Ligji për faljen e borxheve publike e deri më tani janë lidhur marrëveshje me rreth 3 mijë konsumatorë, ndërsa presin përgjigjen edhe të rreth 7 mijë konsumatorëve borxhlinj.

Ndërkaq, nga mundësia e fshirjes automatike të borxhit kanë përfituar 611 konsumatorë, që kanë pasur borxhe nën 100 euro.

“Ndonëse, që nga hyrja në fuqi e këtij ligji konsumatorët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit të tyre, një interesim i jashtëzakonshëm është paraqitur sidomos ditëve të fundit, kur ‘Termokos’ është vizituar nga një numër shumë i madh i konsumatorëve”.

“Vetëm gjatë muajit gusht janë lidhur marrëveshje me mbi 1 mijë konsumatorë. Në mënyrë që të jetë në gjendje që t’iu përgjigjet kërkesave të shumta të konsumatorëve NP ‘Termokos’ ka shtuar numrin e ekipeve, që do të merren me kërkesat e konsumatorëve për të hyrë në procedurë për faljen e borxhit”, thuhet në njoftimin e “Termokosit”.

Pasi që, Ligji për faljen e borxheve publike do të jetë në fuqi vetëm deri më 2 shtator 2016, “Termokos” bënë thirrje edhe një herë të gjithë konsumatorëve, që kanë borxhe ndaj kompanisë të paraqiten në shërbimin për konsumatorë për të përfituar nga mundësitë e shumta, që u ofron ky ligj për fshirjen e borxheve të grumbulluara për vite me radhë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme